Qindra raste të dyshuara të ekstremizmit të djathtë tek autoritetet e sigurisë
Raporti i parë për gjendjen e ekstremizmit të djathtë tek autoritetet e sigurisë në Gjermani nxjerr në pah se ka pasur qindra raste të dyshuara në tre vitet e fundit.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në një raport të përgatitur për herë të parë për gjendjen e ekstremizmit të djathtë brenda autoriteteve gjermane të sigurisë shënon më shumë se 350 raste të dyshuara, raportoi gazeta gjermane „Welt am Sonntag.” Në këtë raport është marrë në konsideratë një hapësirë kohore prej tre vjetësh, nga janari 2017 deri në mars 2020, shkruan agjencia epd, duke iu referuar gazetës gjermane. Raporti prej 100 faqesh dhe i kategorizuar si i brendshëm pritet të publikohet në tetor.
Ministri i Brendshëm i landit Renani Veriore-Vestfali, Herbert Reul jep konferencë shtypi mbi grupet chat të ekstremizmit të djathtë tek policia e landit, 16.09.2020
Masa disiplinore
Shumica e rasteve të dyshuara për ekstremizëm të djathtë tek autoritetet e sigurisë janë raportuar nga landi i Hesenit, sipas të dhënave. Ministria e Punëve të Brendshme e këtij landi, ka afër dy vjet që heton intensivisht së brendshmi mbi këtë fenomen. Aty janë zhvilluar në këto tre vite edhe 59 procedura disiplinore apo janë marrë masa të tjera ligjore. Në 11 raste ka pasur lirim nga detyra ose mosemërim si nëpunës i përhershëm i shtetit. Bavaria ka nisur 30 procedura disiplinore raporton gazeta gjermane, kurse landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë ka hapur 43 procedura të tilla. Por në këtë land janë shfaqur edhe raste të tjera, duke e rritur në 100 numrin e procedurave. Edhe në lande të tjera janë marrë masa disiplinore.
Ajo që bie në sy thuhet në raport, është se tek autoritete të tjera si tek shërbimi të fshehtë ushtarak, MAD nuk ka pasur asnjë raportim për periudhën e përmendur në hulumtim. Sipas raportit formularët duheshin plotësuar me rastet e ekstremizmit të djathtë të shfaqura tek autoritetet e Shërbimit Informativ Gjerman, BND, të shërbimit të fshehtë ushtarak, MAD, të policisë federale dhe 16 policive të landeve./dw
Fraksion.com