AktualitetBota+Të fundit

Luftime të ashpra në rajonin e Nagorni Karabakut

Prej 30 vjetësh zien konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni Karabakut. Tani sërish kanë filluar luftimet, më të ashprat që nga viti 2016. Ndërkombëtarët kërkojnë armëpushim të menjëhershëm.

Siç njofton korrespondenti i Deutsche Welles në Erivan, kryeqytetin armen janë mbledhur në qendër turma njerëzish të gatshëm për të shkuar në frontin e luftës. Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashijan ka bërë të ditur në twitter, se „pala armene” ka shkatërruar dy helikopterë azerbajxhanas dhe tre drone armene. Ai ka shpallur edhe gjendjen e luftës. Nuk ka të dhëna të sigurta, nëse goditja është kryer nga ushtria armene apo rebelët në Republikën e vetëshpallur të Nagorni Karabakut. Sipas rebelëve sulmet kanë filluar nga Azerbajxhani.

Ushtria azerbajxhanase ka bombarduar rajonin e banuar me shumicë armene të dielën në mëngjes, thonë rebelët. Aty janë goditur edhe objektiva të kryeqytetit rajonal, Stepanakert të Nagorni Karabakut. „Kjo nuk ka ndodhur që në vitet 90-të”, i ka thënë Deutsche Welles gazetarja e ARD-së dhe njohësja e rajonit, Silvia Stöber. Sipas Stöber, Turqia e mbështet më shumë Azerbajxhanin e „kjo mund të ketë motivuar udhëheqjen në Azerbajxhan të shkallëzojë situatën.

Reagime ndërkombëtare: Armëpushim i menjëhershëm

Luftimet kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Rusia u ka bërë thirrje palëve për armëpushim të menjëhershëm në rajon. Kurse Franca ka apeluar, ashtu si BE, që si Armenia edhe Azerbajxhani të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve.

Nën drejtimin e Francës, Rusisë dhe SHBA, grupi i ashtuquajtur, grupi i Minskut i OSBE përpiqet të negociojë që nga viti 1994, por bisedimet megjithatë nuk kanë sjellë rezultat. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pas shpërthimit të konfliktit luftarak ka kërkuar uljen e menjëhershem të armëve. Maas është i alarmuar për përplasjen masive mes dy vendevde dhe raportimet për viktima civile. Turqia i ka bërë thirrje Armenisë të heqë dorë nga „qëndrimi armiqësor”. Ankaraja është aleat i rëndësishëm i Azerbajxhanit./dw

 

Fraksion.com