Zgjedhjet e kandidatëve të PD-së në qarkun Dibër; Paloka: Anëtarësia e ka vlerësuar procesin
Nënkryetari i PD-së Edi Paloka tha sot se votimi i kandidatëve nga anëtarësia PD për qarkun Dibër është hapi i parë drejt ndryshimit.
Në një prononcim për mediat, Paloka ka vlerësuar procesin e votimit dhe e ka konsideruar si një hap drejt ndryshimit.
Paloka u shpreh se pjesëmarrja është impresionuese.
“Shoh që anëtarësia e Partisë Demokratike edhe në Bulqizë e ka vlerësuar ashtu siç duhet këtë proces dhe po vazhdon me ritme të kënaqshme të votoje për të bërë përzgjedhjen e atyre përfaqësuesve më të mirë të PD që ata shpresojnë dhe pretendojnë që do t’i përfaqësojnë nesër jo vetëm në parlamentin shqiptar dhe pushtetin lokal, por edhe në administratën e ardhshme të qeverisë së Partisë Demokratike”, tha ai.
Po ashtu, Paloka shtoi se “procesi që po bëjmë sot është vetëm hapi i parë drejt këtij ndryshimi. 25 prilli do të jetë një goditje finale për të larguar të keqen, por do të jetë edhe dita e parë ku ndryshimi do të fillojë realisht”.
Fraksion.com