AktualitetBota+Të fundit

Paris: Të dhënat flasin për një sulm me sfond politik

Sipas mediave, pas sulmit me thikë të premten në Paris, 18 vjeçari e ka pranuar veprën penale, dhe ka përmendur karikaturat e fundit të Mohamedit të publikuara nga revista satirike „Charlie Hebdo“.

Kryeministri francez, Jean Castex dhe ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin në konferencë për shtyp pas sulmit në Paris

( E akt.) Pas sulmit me thikë të premten në Paris shumë të dhëna flasin për një sulm me sfond politik. Sipas raportimeve të disa mediave franceze, që i referohen autoriteteve, 18 vjeçari e ka pranuar veprën penale, dhe ka përmendur karikaturat e fundit të Mohamedit të publikuara nga revista satirike „Charlie Hebdo“, shkruan dpa. Në sulmin e kryer në afërsi të redaksisë së dikurshme „Charlie Hebdo“ u plagosën rëndë nga sulmi me thikë një punonjëse e një punonjës i një firme të prodhimit të filmave.

Incidenti ndodhi të premten pasdite pranë ish-zyrave të redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, tha kryeministri Jean Castex. Fillimisht flitej për katër të plagosur. Një i dyshuar u arrestua jo shumë larg vendit të ngjarjes. Prokurorët e antiterrorizmit në Paris kanë konfirmuar se kanë filluar një hetim.

Nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese

Forcat e sigurisë rrethuan të premten rrugët në afërsi pasi gjetën një paketë të dyshimtë. Sipas informacionit nga stacioni radiofonik France Info, megjithatë nuk u gjet asnjë eksploziv. Në vendin e ngjarjes, hetuesit gjetën një thikë të madhe. Raporte të tjera flasin për një hanxhar.

Dymbëdhjetë vetë u vranë në një sulm ndaj ekipit të redaksisë së Charlie Hebdo në janar 2015. Aktualisht po vazhdon gjykimi i bashkëpunëtorëve të dyshuar të sulmit. Të 14 të akuzuarit akuzohen se kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme në përgatitjen e sulmeve dhe se i përkisnin një grupi terrorist.

 

Fraksion.com