AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Taksa e sheshtë 9%, rruga për konsolidimin e shtresës së mesme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se taksa e sheshtë 9% është një rrugë përmes së cilës ne do të konsolidojmë shtresën e mesme të shoqërisë

Taksa e sheshtë prej 9% është prezantuar si masë fiskale që do të ndërmerret nga e djathta në momentin që do të vijë në pushtet.

“Është shtylla kurrizore e një ekonomie të shëndetshme dhe të qëndrueshme në qytet dhe fshat. Kjo është vetëm një nga mënyrat se si do të fuqizojmë të gjithë ata që punojnë. Puna dhe mundi juaj nuk duhet të mbitaksohen. Përkundrazi, sa më shumë para në xhepat tuaja, aq më mirë për ekonominë tone”, shprehet Basha.

Më tej, ai thekson se “këto 7 vite, qeveria Rama ka rritur taksat më shumë se çdo qeveri tjetër më parë, duke i keqmenaxhuar dhe shpërdoruar ato si asnjëherë më pare”.

Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje, vijoi kreu I PD-së, duke shtuar se shqiptarët duan mbështetje dhe lehtësi fiskale nga shteti, dhe jo një qeveri arrogante, që ju nxjerr vetëm pengesa.

“Ne do e rishikojmë të gjithë paketën e taksave aktuale për t’ia lehtësuar procedurat bizneseve dhe investitorëve vendas dhe të huaj. Unë e di që do na duhet të marrim vendime të rëndësishme dhe ne do t’i marrim ato së bashku”, tha ai.

Qëllimi ynë, shtoi Basha, është që të kemi një shoqëri të qëndrueshme, me një shtresë të mesme solide në zemër të saj dhe me institucione që ju shërbejnë qytetarëve dhe jo partive.

 

Fraksion.com