Kosovë: Arrestohet kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është arrestuar të premten në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).
Gucati është parë duke dalë nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në veturën e EULEX-it.
Avokati i kësaj organizate Tomë Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson që Gucati u arrestua për krime lufte.
“Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit qe e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë“, tha ai.
Gashi kishte njoftuar për arrestimin e Gucatit edhe përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shkruar se Gucati do të transferohet në Hagë, ndërkohë që bastisjet nga EULEX-i në zyret e OVL të UÇK-së po vazhdojnë.
Ende nuk dihen arsyet prapa arrestimit të Gucatit.
Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Kjo vjen një ditë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.
Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.
Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“. Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.
Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./rel
Fraksion.com