AktualitetPolitikëTë fundit

“Konfirmon kandidimin”; Rama: Mos hapni llafe që nuk do jem në Vlorë

Kryeministri i vendit Edi Rama shprehu se do të jetë sërish kandidat për deputet në qytetin e Vlorës.

Ai u ka dhënë fund zërave për një përballje mes tij dhe kreut të PD-së Lulzim Basha për deputet në Durrës. Ai gjithashtu theksoi se do të jetë gjithmonë në Vlorë edhe kur mos të jetë më në pushtet.

Kryeministri konfirmoi se do të jetë sërish kandidat për deputet në qytetin bregdetar, ndërsa theksoi se “me Vlorën më ka lidhur fati, historia e familjes dhe sigurisht më lidh pafundësisht dashuria për këtë bukuri akoma të pazbuluar”.

Në fjalën e tij në prezantimin e projektit të ndërtimit të parkut të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë, Rama tha se “në Vlorë kam qenë edhe përpara se të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste, në Vlorë kam qenë edhe kur u bëra kryetar i PS-së, në Vlorë jam edhe tani që jam kryeministër, dhe në Vlorë do të jem deri kur të jem kryeministër, dhe në Vlorë do jem pasi të mos jem më kryeministër, madje do jem më shumë, se do kem më pak angazhime për të shkuar në çdo cep të Shqipërisë”.

“Mos hapni llafe që unë nuk do jem në Vlorë. Bëni kujdes nga çfarë dëgjoni, se çfarë nuk dëgjohet sot në Shqipëri. Mjafton të hapësh televizorin dhe nuk di njeriu se çfarë të besojë. Besojnë pa bërë asnjë verifikim. Lëre të hapësh ato kanalet e portalet nëpër xhepa aty, pastaj bëhet mullar çfarë del prej aty”, – nënvizoi Rama duke shtuar se më ikën mendja kur me thonë “dil shiko realitetin”.

“Këta që me thonë mua ‘dil shiko realitetin’, nuk do arrijnë dot të bëjnë në jetën e tyre aq metra sa unë kam bërë kilometra nëpër Shqipëri. Nuk do kem nevojë të bëj këto kilometra, por do bëj më shumë metra rreth e rrotull Vlorës”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “këtu jemi të gjithë së bashku për të luftuar për ta zbuluar këtë bukuri jo vetëm për vete dhe fëmijët tanë, por për gjithë botën mbarë, që Vlorës t’i dalë zëri gjithandej jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha gjuhët si vendi ku mund të shkosh e të kalosh ditë të paharrueshme duke shijuar bukuritë e natyrës apo Zotit dhe duke shijuar mikpritjen dhe vlerat e krijuara së bashku nga njerëzit”.

 

Fraksion.com