Prangoset pedagogu në Korçë dhe sekseri; Merrnin lekë për provimet
Pedagogu i fakultetit të Shkencave Sociale në universitetin “Fan Noli”, Alket Dino 34 vjeç është arrestuar ditën e sotme pasi merrte para në këmbim të dhënies së provimeve. Në pranga ka rënë edhe Xhevi Dervishi 35 vjeç, i cili luante rolin e sekserit, ndërmjetësit mes studentëve dhe Dinos.
Arrestimi i tyre është bërë pranë Fakultetit, teksa i janë gjetur edhe një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet janë kryer nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK. Ndaj tyre rëndojnë akuzat veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë. Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.
Fraksion.com