Mjekët në kryeministri: Kërkuan plotësimin e 4 kërkesave; Në QSUT të tjerët në protestë, policia s’u dha leje
Në orën 09:00, kryeministri Edi Rama ka nisur një takim me mjekët në zyrën e tij në kryeministri.
Në grupin prej 4 mjekësh në takimin me kreun e qeverisë Edi Rama në Kryeministri mësohet se dy prej mjekëve që janë në takim me Ramën janë Gent Stroni dhe Arjan Mezini. Ndërkohë, mësohet se e pranishme është edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe drejtori i QSUT, Enkel Joti.
Kjo ftesë vjen pas protestës që paralajmëruan për sot në orën 10:00 në QSUT, edhe pse policia nuk u dha leje. Kjo për shkak se tubimet dhe grumbullimet në kohë pandemie janë të ndaluara pasi shndërrohen në rrezik të përhapjes së virusit.
“Zhvillimi i këtij tubimi në kohë pandemie, përbën rrezik real për shëndetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë. Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, për pjesëmarrje dhe grumbullime të paligjshme” thuhet në shkresën e policisë.
Bluzat e bardha njoftuan se do të mblidhen sot në orën 10:00 në protestë, ku kërkojnë realizimin e 4 kërkesave, që lidhen me kushtet ku punojnë si dhe me pagesat e tyre. Më konkretisht ata kërkojnë që mjekët të cilët humbin jetën në krye të detyrës të shpallen dëshmorë të kombit, rritje të pagave, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor dhe tu sigurohen të gjitha kushtet në punë.
Kërkesat e mjekëve:
Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë që 4 përfaqësues nga bluzat e bardha janë në takim me kryeministrin Edi Rama, kjo nuk e ka ndalur protestën e mjekëve në QSUT të cilët janë mbledhur në hyrje të spitalit.
Fraksion.com