Madrid: Frikë nga getoizimi për shkak të Coronës
Spanja është vendi i goditur më fort nga pandemia e Coronës në Evropën Perëndimore dhe për shkak të numrit të lartë të infektimeve në Madrid do të vendosen rregulla strikte.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Lagjet tona nuk janë geto”, “Më shumë mjekë, jo përjashtim” ose “Ju na keni braktisur dhe tani po na mbyllni”. Ata bënë thirrje për dorëheqjen e presidentes rajonale konservatores Isabel Díaz Ayuso. Në disa prej pankartave qe shkruar: “Ayuso, ti je virusi”.
Masat e forta do të jenë fillimisht në fuqi për dy javë. Sipas informacioneve zyrtare prej tyre janë të prekur 850,000 nga rreth 6.6 milion banorë të rajoneve përreth kryeqytetit. Fjala është për 37 zona në gjashtë lagje dhe shtatë komuna në periferi të Madridit. Banorët e tyre mund të hyjnë ose të dalin vetëm për çështje urgjente – për shembull për të shkuar në punë, në shkollë ose te mjeku.
Kryesisht preken të varfërit
Bllokime të ngjashme ka edhe në pjesë të tjera të Spanjës, për shembull në kryeqytetin e Majorkës, Palma. Dhe jo vetëm në Madrid “bllokimet e pjesshme” pothuajse gjithmonë prekin lagjet dhe zonat e varfëra me probleme sociale.
Në zonat e prekura të Madridit numri i infeksioneve të reja shpesh është më shumë se 1.000 për 100,000 banorë brenda 14 ditësh. Për krahasim: në Gjermani numri i infeksioneve për 100,000 banorë brenda 7 ditëve të fundit është aktualisht rreth 12 vetë.
Me më shumë se 640,000 infeksione dhe gati 30,500 vdekje Spanja është vendi i goditur më fort nga pandemia e Coronës në Evropën Perëndimore./dw
Fraksion.com