AktualitetKosovaTë fundit

Kosova dhe Japonia do të mbajnë konferencë të përbashkët ekonomike

Kosova dhe Japonia do të mbajnë së shpejti një konferencë virtuale ekonomike, u tha në një takim që zhvilloi të hënën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.

“Japonia është e përkushtuar ta mbështesë Qeverinë e Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Mizutani, citon një komunikatë e lëshuar nga Kryeministria e Kosovës.

Mizutani e përgëzoi Hotin edhe për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, e cila, sipas tij, mund të shpjerë në rritje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin ekonomik më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë.

Në komunikatën e lëshuar të hënën nga Qeveria e Kosovës thuhet se kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Mizutani për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili, sipas tij, duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë.

Hoti po ashtu foli për orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës dhe për rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit.

 

Fraksion.com