I kujt do jetë mandati i tretë?
Nga Sokol Balla
Situata në Shqipëri duket si gjithmonë si një tablo me dy pamje dhe të gjithë ne, presim që këto pamje të lidhen diku. Mesa duket lidhja, e me gjasë edhe zgjidhja e krizës do jetë ligji i ri zgjedhor, i cili do bazohet tek ndryshimet e njëanshme kushtetuese të verës, të cilat në thelb duhet të parashikonin lista të hapura. Por dy kleçka këtu, mbajnë mbërthyer situatën dhe e bëjnë të mundshme, jo zgjidhjen, por shpërthimin e saj.
Por nuk është vetëm konsensusi politik që rrezikon goditje, por edhe integrimi. Kryeministri Edi Rama, hem si kryeministër, hem si kreu i OSBE, e hem si artist i thjeshtë, ka marrë shpesh avionin këto dy javë, por duket se në Gjermani, temperaturat e dashurisë po i ulen shpejt. Bojkoti që i bënë atij dy deputetë gjermanë Kirshbaum dhe Vandepuhl, nuk është një risi, pasi të dy emrat janë më afër PD prej vitesh. Lajm është fotoja e munguar me Angela Merkel, e cila konsiderohet gjerësisht si sponsorja personale e Ramës, sidomos pas vitit 2014. A po rrezikon Shqipëria sërish, për shkak të zhvillimeve të brendshme, nje hap prapa në integrim, sidomos nëse Maqedonia e Veriut nis konferencat ndërministrore me Brukselin, ndërsa Shqipëria jo?
Normalisht me kushtet e Shqipërisë kjo duhet të ishte një ditë “festë” për opozitën. Një qeveri që ecën e prish konsensus, që ndryshon vetë kushtetutën e që merr rezultate negative në integrimin e munguar europian, do ishte mjaft që pas tetë vjetësh me luhatje në pushtet, socialistët t;i frikësoheshin më shumë se kurrë dorëzimit të tij në prill. Por ka një element të fortë që e mohon këtë pritshmëri. Ky është Ilir Meta. Presidenti i cili tashmë me ndërgjegje është vënë në krye të frontit për rrëzimin e maxhorancës, shpërndau pak ditë më parë një paralajmërim të çuditshëm: se pas zgjedhjeve do bëhej kryeministër dhe Saliun do ta bënte president. Por ky paralajmërim nuk mund të ishte për socialistët, të cilët, nëse humbasin pushtetin pak u intereson emri i kryeministrit të ri. Bashës dhe demokratëve po. Ndaj zemërata e Metës më shumë sesa më hënën, duket ka lidhje me partnerët e tij në rrëzimin politik të Ramës, të cilët duken ende të dobët, dhe ende jo një alternativë e besueshme. Aq e pabesueshme sa e bën të besueshme si mundësi, një mandat të tretë, ndonëse të pamerituar socialist?
Fraksion.com