AktualitetBota+Të fundit

Grindje politike për vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë

Në Uashington ka filluar beteja politike lidhur me zëvendësimin e gjykatëses së Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, vdekja e së cilës të premten mbylli zërin më të njohur liberak të gjykatës dhe ngriti mundësinë e një shumice konservatore 6-3 në trupin gjykues.

Vendi bosh vjen disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 3 nëntorit që do të vendosin nëse Presidenti Donald Trump do të marr një mandat të dytë në detyrë, si dhe kontrollin e të dy dhomave të Kongresit. Si dhe kur do të plotësohet vendi i lirë do të ketë ndikim të menjëhershëm politik dhe mund të lërë një gjurmë të përhershme në mënyrën se si funksionon Senati dhe qeveriset Amerika.

Konservatorët, të etur për perspektivën e një anëtari të tretë të gjykatës së lartë të propozuar nga Presidenti Trump, përshëndetën premtimin e udhëheqësit të shumicës së Senatit, republikanit Mitch McConnell të premten vonë, se nëse Presidenti Trump zgjedh një kandidaturë ajo “do të hidhet në votim në Senatin e Shteteve të Bashkuara”. Ai nuk dha një afat kohor.

“Presidenti Trump dhe republikanët e Senatit kanë punuar shumë për të përmbysur dekada të aktivizmit liberal në sistemin tonë gjyqësor dhe ata nuk duhet të lëkunden tani,” tha në një deklaratë organizata politike me bazë në Uashington, Heritage Foundation. “Republikanët duhet të ushtrojnë fuqinë e konfirmimit që votuesit u kanë besuar atyre”.

Ndërkohë, grupet liberale dhe demokratët janë gati për betejë.

“Kurrë nuk kam parë hipokrizi politike në këtë nivel”, tha senatori demokrat i Vermontit, Patrick Leahy në radion NPR, duke theksuar se në vitin 2016 zoti McConnell refuzoi të lejojë shqyrtimin e të nominuarit të ish-Presidentit Barack Obama, Merrick Garland për në Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se vendet e lira të Gjykatës duhet të lihen të paplotësuara gjatë një viti zgjedhor në mënyrë që populli amerikan të vlerësojë zgjedhjen.

“Ky është një ndryshim qëndrimesh, është politikë e pastër”, tha zoti Leahy, anëtar i Komisionit të Drejtësisë të Senatit. “Kjo do të njollosë Gjykatën e Lartë”.

Leahy dhe demokratët e tjerë i shkruajnë një letër kryetarit të komisionit, republikanit të Karolinës së Jugut Lindsey Graham, ku thonë: “Nuk mund të ketë një palë rregulla për një President Republikan dhe një palë tjetër për një President Demokrat. Marrja në konsideratë e një të nominuari para inaugurimit të presidentit të ardhshëm do të ishte plotësisht e papërshtatshme. ”

Nga ana e tij, zoti Graham, hodhi poshtë thirrjet e tilla, duke vënë në dukje se në 2013, demokratët ndryshuan rregullat e Senatit për të shpejtuar konfirmimin e të nominuarve të atëhershëm të Presidentit Obama dhe pa sukses kërkuan të bllokonin të nominuarin e dytë të Gjykatës së Lartë nga Presidenti Trump, Brett Kavanaugh, konfirmimi i të cilit u vështirësua nga një pretendim për sjellje të keqe seksuale.

“Në dritën e këtyre dy ngjarjeve, unë do të mbështes @realDonaldTrump në çdo përpjekje për të ecur përpara në lidhje me vendet e lira të Gjykatës së Lartë,” shkroi zoti Graham në Twitter.

Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat dhe mund të përballojnë tre devijime nga radhët e tyre dhe ende konfirmojnë një të nominuar me një shumicë të thjeshtë, me nënpresidentin Mike Pence që thyen një barazim të mundshëm 50-50./VOA

 

Fraksion.com