AktualitetTë fundit

Ambasada në Athinë: Ndryshim i rëndësishëm për tërheqjen e pasaportave biometrike

 Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë njoftoi sot se për aplikimet për tërheqjen e pasaportave biometrike, të cilat do të kryhen pranë Ambasadës së Athinës nga data e sotme, 21 shtator 2020, ka ndryshuar mënyra e deklarimit të adresës së banimit.
Në një njoftim për shtyp ambasada sqaron se “qytetarët me banim jashtë prefekturës së Atikës të cilët dëshirojnë t’iu dërgohet me postë dokumenti biometrik, do të plotësojnë në përfundim të aplikimit një deklaratë me përgjegjësi me të dhënat e sakta të banesës. Kjo mënyrë shmang e-mailet abuzive për nga përmbajta dhe qëllimi, pasi janë të shumta rastet ku ka mangësi në të dhënat e sakta të adresës, por dhe praktika të qëllimshme të personave keqbërës që synojnë të nxjerrin përfitime nga kjo situatë”.
“Bashkëatdhetarët të cilët kanë nisur kërkesat e tyre pranë postës sonë elektronike, consulate.athens@mfa.gov.al, deri në datën 20 shtator 2020, kanë të drejtën që të autorizojnë një person të tretë me anë të deklaratave me përgjegjësi, pa pagesë, pranë K.E.P (Qëndrat e Shërbimit të Qytetarëve), për të tërhequr pasaportat e tyre fizikisht në sportelet e shpërndarjes”, thekson Ambasada.
Sipas ambasadës ky vendim u ndërmor për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjen e sigurisë në shpërndarjen e dokumenteve biometrikë.
Fraksion.com