“1 vit nga tërmeti fatal”; Rama për strehimin e banorëve: Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi
Një vit nga tërmeti i 21 shtatorit, 65 familje të bashkisë së Tiranës, banesat e të cilave u dëmtuan rëndë, janë sistemuar tashmë në shtëpitë e reja me kushte shumë herë më të mira se më parë.
Një vit më pas gjithçka ka ndryshuar. Të gjitha familjet e prekura nga ai tërmet fatal janë strehuar në banesat e tyre të reja falë ndihmës së vyer të donatorëve që iu përgjigjën pa kursim thirrjes për ndihmë nga bashkia e Tiranës.
Sot 65 familje nga Baldushku, Farka, Petrela, Zall Herri, Kashari, Ndroqi, Vaqarri, Zall Bastari, Bërzhita, Peza, Dajti e lagje të Tiranës urbane i gëzohen shtëpisë së tyre të re,
një ëndrre të bërë realitet.
Për familjen Poçi kjo është një lumturi shumë e madhe. “Kjo më mungonte vetëm shtëpia, ishte gjëja që unë nuk e realizoja dot”, tha pjesëtarja e kësaj familje.
Edhe familja Zela është akomoduar tashmë në banesën e re. “Kisha 17 vite aty. Aty rrita fëmijët e mi. Keq më erdhi shumë por tani u kompletuam”, tha pjesëtarja e kësaj familje.
Edhe anëtarja e familjes Lami tha se “mendoi se çdo gjë mori fund dhe po mendoja ku do strehohesha, ku do shkoj? “Mrekullia e Zotit. Zoti e hodhi tërmetin nga Zoti na erdhi dhe falë qeverisë e shtetit tonë banesa”, tha ajo.
Edhe për familjen Rrushi banesa e re ishte një ëndërr. “E kishim si ëndërr edhe kur erdhën ustallarët ne nuk e besonim”.
“3 ditë e 3 netë thosha o Zot është shtëpia ime apo është shtëpia e huaj. Jam shumë e gëzuar”, tha kryefamiljarja e familjes Neli.
“Kur hyra në dhomën time ishte krejt ndryshe nga ajo që kisha. Ishte një dhomë shumë e bukur”, tha vajza e familjes Aga.
Ndërkohë puna vijon me ritme të larta në kantieret e Rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Fraksion.com