Rama: Nuk ka rrezik për negociatat; Me ndryshimet kushtetuese bëmë gjënë e duhur për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në vizitën e tij në Gjermani nuk ka ardhur për të takuar kancelaren Angela Merkel, por për të marrë pjesë në forumin e politikëbërjes. Ndalesa në Berlin, theksoi ai në intervistë për “DW, ka qenë thjesht për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me të opinione dhe që kanë interes të veçantë për Shqipërinë.
“Me kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se nuk sheh asnjë rrezik negociatat e anëtarësimit të vendit në BE, mund të kushtëzohen nga Gjermania. Ai foli për “DW” duke hedhur poshtë mundësinë që të ketë kushtëzim për shkak të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Gjermania është një vend demokratik, ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin tonë zgjedhor, kemi bërë gjënë e duhur edhe në funksion të ambicies tonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik dhe jam i bindur që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë për Shqipërinë”, tha Rama.
Gjatë intervistës, kryeministri Rama foli për një datë të mundshme për konferencën e parë ndërqeveritare për negociatat.
Kryeministri Rama u pyet edhe për ligjin antishpifje, duke theksuar se do të merren në konsideratë rekomandimet e komisionit të Venecias.
“Gjermania ka një nga ligjet më të fortë kundër shpifjes dhe faktikisht ne do dëshironim që të kishim një ligj që të bazohet në modelin gjerman, por duke qenë se ne jemi një vend shumë më i vogël se Gjermania dhe me shumë më pak zë sesa Gjermania nga miqtë tanë në Këshillin e Europës apo në OSBE, na u tha që ne nuk mund ta aplikojmë ligjin gjerman, sepse do të ishte një ligj i rrezikshëm për Shqipërinë. Kjo është bota ku jetojmë. Ne kemi bërë një ligj që është absolutisht i domosdoshëm. Do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë si vatrën më të nxehtë të shpifjeve, ne nuk do ta lëmë”, u shpreh Kryeministri.1