AktualitetBota+Të fundit

Esktremistët po përgatisin sulme në Afganistan, thotë ambasada amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Afganistan paralajmëroi se grupet ekstremiste po planifikojnë sulme të ndryshme, që veçanërisht do të shënjestrojnë gratë.

Ambasada nuk specifikoi se cilat organizata po përgatisin sulmet.

Paralajmërimi vjen derisa talibanët dhe negociatorët e caktuar nga qeveria, janë ulur së bashku, për herë të parë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje.

“Talibanët nuk kanë ndonjë plan për të kryer ndonjë sulm të tillë”, tha zëdhënësi i grupit Zabihullah Mujahed për Associated Press (AP).

Negociatat e paqes po zhvillohen në Katar, ku talibanët kanë një zyrë politike.

Ato janë në fazat fillestare, dhe pjesëmarrësit ende nuk po pajtohen se cilat pika të rendit të ditës do të negociohen dhe kur.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad, ka thënë fundjavën e kaluar se ekzistojnë prishës të procesit në të dyja palët.

Ai tha se disa udhëheqës të Afganistanit do të ishin më të kënaqur të vazhdonin me status-quon, sesa të gjenin një zgjidhje paqësore që mund të përfshinte ndarjen e pushtetit.

Sipas paralajmërimit të ambasadës të lëshuar të enjten vonë, “organizatat ekstremiste vazhdojnë të planifikojnë sulme kundër një larmie shënjestrash në Afganistan, duke përfshirë një rrezik të rritur të sulmeve që synojnë gratë dhe punëtorët civilë, duke përfshirë mësuesit, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe punonjësit e qeverisë”.

Talibanët janë kritikuar ashpër për trajtimin e tyre ndaj grave dhe vajzave gjatë sundimit të tyre pesë-vjeçar. Grupi kryengritës ua mohoi vajzave shkuarjen në shkollë dhe grave për të punuar jashtë shtëpisë së tyre.

Udhëheqja e talibanëve përfundoi më 2001 kur një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja rrëzoi regjimin e tyre për shkak të strehimit të grupit ekstremist, al-Kaida, i cili ishte përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA./rel

 

Fraksion.com