Dështon mbledhja e Këshillit Politik; Gjiknuri: Opozita synon të krijojë krizë artificiale, nuk mund t’i drejtohemi ODIHR-it pa një draft konkret
Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në një prononcim për shtyp se “opozita synon të krijojë një krizë artificiale, ndaj edhe bojkotoi Këshillin Politik”.
“Fatkeqësisht sot PD bojkoti Këshillin Politik, megjithëse kishte kërkuar që kjo mbledhje të zhvillohej. Ata kanë synim të hedhin në erë këtë proces, të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese dhe të krijojnë një krizë artificiale”, tha ai.
Gjiknuri shtoi se “ishte debat i kot, sepse ODIHR është organizatë e specializuar që jep opinione mbi produkte konkrete”.
“Sot ne sollëm një draft që kërkon inputin e të gjitha palëve. Në atë draft parashikohet koalicioni zgjedhor, vota parapëlqyese për çdo kandidat dhe mekanizma që mundësojnë ndarjen e mandateve në bazë të peshës elektorale që kanë kandidatët. Por konflikti është stisur për këtë arsye. ODIHR shprehet mbi drafte, jo mbi një ide”, tha Gjiknuri.
Ai i bëri thirrje opozitës të vijnë me një draft konkret pasi koha nuk pret. “Nuk zvarritet ky proces përtej shtatorit. Në tetor fillon KQZ e re dhe menjëherë duhet të përgatiten aktet ligjore për zgjedhje. Le ta shfrytëzojnë këtë kohë dhe të vijnë me propozime konkrete”, tha Gjiknuri.
Lidhur me koalicionet, ai theksoi se “ne kemi sjellë një variant që e gjen në çdo legjislacion europian”.
Por sipas tij, “PD nuk do vazhdimin e kësaj tavoline, por do krizë artificiale sepse do t’i thotë shqiptarëve se këto janë ndryshime të njëanshme. Por, këto janë sebepe për të justifikuar krizën e tyre të brendshme, apo situatat e tyre politike. Ata kërkojnë ‘qiqra në hell’, se nuk mund të kërkojnë ekspertizë kur akoma nuk ka një draft konkret. PD le të bëjë komentin mbi draftin”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se “Këshilli Politik është bërë për t’u konsultuar me opozitën, por nëse ata nuk vijnë, jam i ngarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë që deri në 30 shtator do të çoj propozimet në Komisionin e Ligjeve”.
“Nuk mund të lëmë vendin në krizë kushtetuese. Qëllimi është politik, të krijohet krizë artificiale dhe të justifikohet një qëndrim radikal nga ana e opozitës, që mesa duket do të përsërisë të njëjtat histori të humbësit”, tha ai.
Bylykbashi: Nuk lëvizim nga kërkesat tona, koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura
Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi u shpreh se “ne sot sollëm kërkesën zyrtare të opozitës, kërkesë me shkrim për të aktivizuar mekanizmin e zgjidhjes së mosdakordësive që ka marrëveshja e 14 janarit, e cila në mënyrë fare të qartë thotë: palët kërkojnë konsensus, dhe nëse konsensusi nuk arrihet, Këshilli i drejtohet OSBE-ODIHR-it për asistencë për të gjetur zgjidhje të pranueshme”.
“Ajo që po kërkojmë ne është pikërisht gjetja e një zgjidhje të pranueshme konsensuale. Partia Socialiste insiston që të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakordësuar për 17 vjet deri me datë 21 korrik 2020. Për këtë ka mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga Partia Socialiste që nëpërmjet Këshillit t’i drejtohemi OSBE-ODIHR. Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i mazhorancës. Ne ia bëmë të qartë që japim kohën për të reflektuar, jemi këtu dhe presim që sapo Gjiknuri të bjerë dakord, të vazhdojmë punë për çështjet e tjera. Por çështja për koalicionet që të ruhen ashtu siç janë sot në Kodin Zgjedhor. Ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje ekspertize nga OSBE/ODIHR”, tha ai.
Ne nuk lëvizim nga kërkesat tona, theksoi Bylykbashi, ndërsa shtoi se “koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura”. “Le të kuptojmë diçka. Në këtë moment, PS po bojkoton marrëveshjen e 14 janarit. Marrëveshja e 14 janarit funksionon si një e tërë dhe jo me pjesët që i interesojnë Gjiknurit apo PS-së. Nëse nuk i gjendet konsensus, i drejtohemi OSBE/ODIHR. Këshilli politik nuk është parlamenti ku ata vendosin me si të duan ata dhe me votat që duan ata. Këtu bihet dakord me konsensus dhe me drafte te pranuara bashkërisht, përndryshe ata po cenojnë funksionimin e Këshillit Politik. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën sapo të reflektojnë”, tha ai.
Vasili: Opozitës së bashkuar nuk ia ndal askush mundësitë për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në Këshill, Petrit Vasili u shpreh se “bëhet fjalë për bojkotimin e marrëveshjes së 14 janarit dhe 5 qershorit”.
“Kërkesa e opozitës së bashkuar ndërton konsensus dhe dialog dhe ruan dy marrëveshjet. Presim që PS të mos bojkotojë marrëveshjet dhe të shënojë një rekord të ri pozitiv. Ky është një shans i madh për PS-në, jo për opozitën e bashkuar, që nuk ia ndal dot njeri mundësitë për t’u drejtuar tek OSBE/ODIHR. Sot ne po kërkojmë dhe po bëjmë të pamundurën për të ruajtur Këshillin”, tha Vasili.
Hajdari: Propozimi i PS-së për listat, i papranueshëm
Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari tha se “PS po bën një hap pas”. “Propozimi i PS-së është një propozim i papranueshëm, dhe të kuptoni që kërkon të mos hapë listat dhe ata thanë se kanë merak përzgjedhjen e grave në parlament. Po ta shikoni renditja e kandidatëve rri e njëjtë dhe vetëm një kandidat preferencial të vijë nga jashtë që do të thotë se listat janë praktikisht të mbyllura. PS po bën një hap pas, nuk është kjo lista e hapur dhe ajo që kërkojnë qytetarët. Kryetarët e partisë kanë ende fuqinë të vendosin në listë kë të duan. PS të reflektojë mbi këtë propozim. Nuk ndryshon asgjë. Ajo që është e rëndësishme është mbajtja e listave të hapura”, tha Hajdari.
Fraksion.com