AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 25 prillit; Kemi të gjithë mundësinë për të fituar sa në 2017-n, në mos më shumë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se kjo mazhorancë ka energjinë, vizionin, dijen dhe liderin për të fituar mandatin e tretë qeverisës.

“Ne besojmë se mandati i tretë do të jetë një vazhdim i natyrshëm i punëve që ne kemi bërë, proceseve e reformave që kemi nisur e janë duke dhënë frytet tani. Besoj se kemi mbjellë shumë në mandatin e parë, rezultatet po duken këtë mandat. Besoj se kemi gjithë energjinë, vizionin, dijen dhe liderin për të fituar këtë betejë për Shqipërinë që duam”, tha Spiropali e ftuar në një studio televizive.

Lidhur me pyetjen nëse do të mundet kjo mazhorancë të sigurojë 800 mijë vota, Spiropali u shpreh se në forumet e PS-së diskutojmë mbi parimet e ndarjet e punëve dhe ne besojmë se është vullneti i sovranit, nëse do t’i marrim 800 mijë vota.

Por vuri në dukje, Spiropali, kemi të gjithë mundësinë për të fituar sa në 2017-n, në mos më shumë.

Sa i takon akuzave të ngritura nga opozita për një presion mbi administratën në prag të zgjedhjeve, Spiropali tha se opozita ka në mendjen e saj një administratë të vjetër, që vihej në rresht në mitingjet e Berishës.

“Opozita ka në mendjen e saj një administratë të vjetër, ku vendi i punës për mësues paguhej 5 mijë euro te funksionari i partisë. Nuk kishte portal. Është administrata ku vihej në rresht në mitingjet e Berishës. Përfytyrimi i tyre e realiteti janë dy gjëra të ndryshme”, u shpreh ministrja.

Ne, vuri në dukje ajo, nuk e kemi nënshtruar administratën dhe kemi ndërprerë këto lloj marrëdhëniesh klienteliste, klanore, partiake të emërimit duke respektuar ligjin dhe duke synuar të ndërtojmë një administratë publike moderne. Sepse, vijoi Spiropali, pa një administratë të tillë ne nuk mund të bëhemi një vend i zhvilluar.

 

Fraksion.com