“Shteti në xhepin e qytetarëve”; Rama: Portali qeveritar e-Albania vlerësohet botërisht si model suksesi
Portali qeveritar e-Albania vlerësohet botërisht si model suksesi! Raporti i OECD, OKB dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë veçuar pozitivisht qeverisjen digjitale të Shqipërisë, e cila në këtë fushë ka lënë pas të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot këtë lajm nga bota për Shqipërinë, ku nga plot 2,5 milionë aplikime online të bëra nga 1,1 milionë qytetarë dhe biznese nga 1 janari, deri tani, nga këto, 1,7 milionë aplikime kanë marrë përgjigje automatike online me vulë digjitale të shkarkuar nga e-Albania.
“Mirëmëngjes dhe me këtë lajm nga bota për Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kemi shmangur 2.5 milionë vajtje-ardhje nëpër zyra shërbimesh”.
“Si mund të thuhet që nuk është lehtësuar qytetari nga pesha e burokracisë dhe gjërat qenkan njësoj?! Patjetër ka ende shumë për të bërë, por e para revolucioni i shërbimeve vazhdon dhe e dyta në statistikën e mësipërme nuk jane përfshirë plot 3 milionë lejet e daljeve që e mundësuan menaxhimin shembullor të gjendjes së jashtëzakonshme të karantinës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se revolucioni dixhital nuk është më një ëndërr, por një projekt në jetësim të vazhdueshëm, për ta futur shtetin në xhepin e qytetarëve dhe larguar që aty përgjithnjë duart e zyrtarucëve të padenjë.
Shqipëria po shihet si një model në qeverisjen dixhitale. Edhe pse një vend i vogël rasti shqiptar referohet nga institucionet prestigjoze ndërkombëtare si shembulli i duhur.
OKB, OECD dhe SHBA flasin për një histori shqiptare suksesi. e- Albania, portali unik i ndërtuar nga AKSHI që jep shërbime publike me një ndalesë të vetme online. e-Albania i ka dhënë fund radhëve, pritjeve, ecejakeve, ryshfeti, burokraci.
Pas këtij suksesi janë vite pune, investime në teknologji, dhe vullnet për ta çuar deri në fund revolucionin dixhital në Shqipëri.
Postimi i z. Rama në Facebook: