Komanda e re Atlantike e NATO-s u shpall operacionale
Komanda e re Atlantike e NATO-s u shpall operacionale në një ceremoni në Norfolk, Virginia të enjten (17 shtator 2020). Komanda e Forcave të Përbashkët Norfolk, e krijuar për të mbrojtur korsitë e detit midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, është selia e parë e NATO-s kushtuar Atlantikut që nga viti 2003.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e mirëpriti këtë moment historik, duke thën ëse “NATO është një Aleancë transatlantike dhe Atlantiku i Veriut është jetik për sigurinë e Evropës. Komanda jonë e re Atlantike do të sigurojë që rrugët thelbësore për përforcimet dhe furnizimet nga Amerika e Veriut në Evropë të mbesin të sigurta. ”
Bashkëvendosur me Flotën e Dytë të SHBA-së, Komanda e Atlantikut drejtohet nga nën-admirali i SHBA-së Andrew Lewis. Ai do të sigurojë aranzhime koherente të komandës për forcat Aleate, të ruajë vetëdijen e situatës, të zhvillojë stërvitje dhe të hartojë plane operacionale që mbulojnë zona të gjera gjeografike, nga Bregu Lindor i SHBA-së, përtej Grenlandës-Islandës-Mbretërinë e Bashkuar dhe brenda në Arktik. Operacionet detare të përditshme të NATO-s do të vazhdojnë edhe jashtë Komandës Detare Aleate (MARCOM) në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s vendosën në qershor 2018 të adaptojnë strukturën e komandës së Aleancës me një komandë të re Atlantike në Norfolk dhe një komandë për mbështetje dhe logjistikë në Ulm, Gjermani. Komanda e Forcave të Përbashkët Norfolk bashkohet me dy Komandat ekzistuese të Forcave të Bashkuara të NATO-s, të vendosura në Brunssum, Hollandë dhe Napoli, Itali.