SHBA, Të rinjtë e pakicave racore, më të rrezikuar se të bardhët nga COVID
Sipas të dhënave të publikuara këtë javë nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të rinjtë nën 21 vjeç nga komunitetet pakicë në vend janë më të rrezikuar nga COVID-19 krahasuar me amerikanët e bardhë të së njëjtës grupmoshë.
Bazuar në të dhënat e mbledhura në 27 shtete, mes 21 shkurtit dhe 31 korrikut humbën jetën nga sëmundja 121 vetë, nën moshën 21 vjeç.
Më shumë se 75 për qind e tyre ishin hispanikë, afrikano-amerikanë, amerikanë të popullatës indigjene si dhe fiseve indigjene të Alaskës edhe pse ata përfaqësojnë vetëm 41 për qind të popullsisë amerikane.
Nga një analizë e mëtejshme e shifrave rezulton se fëmijët e komunitetit hispanik përbënin 44 për qind të viktimave dhe ata të komunitetit afrikano-amerikan 29 për qind, krahasuar me 14 për qind që ishin fëmijë të bardhë. Fëmijë nga popullata indigjene apo fiset autoktone të Alaskëspërbënin 4 për qind të vdekjeve nga COVID-19, e njëjta shifër sikurse për ata që jetojnë në ishujt e Azisë dhe Paqësorit.
Raporti CDC-së zbuloi gjithashtu se 75 për qind e atyre që humbën jetën vuanin nga të paktën një problem tjetër shëndetësor, si astma, mbipesha, probleme neurologjike e të zhvillimit apo sëmundje kardiovaskulare. Studiuesit theksuan se disa kushte sociale, përfshirë këtu jetesa në ambjente të vogla e me shumë njerëz, pasiguria për ushqim e strehim si dhe hendeqet në edukim e të ardhura, mund të jenë faktorë kontribues në nivelet e larta të vdekshmërisë tek fëmijët e pakicave.
Ndërkohë të mërkurën CDC-ja publikoi detaje të një plani për të filluar shpërndarjen e një vaksine brenda 24 orëve nga miratimi zyrtar. Sipas planit, vaksina do të shpërndahej pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave të nxjerrë një urdhër për përdorim urgjent apo ta miratojë atë zyrtarisht. Ka të ngjarë që fillimisht të vaksinohen punonjës të shërbimeve jetike si personeli shëndetësor. Agjencia tha se vaksina do të jepet falas për të gjithë amerikanët sapo të bëhet e disponueshme./voa
Fraksion.com