Cakaj takon Ali Ahmetin: Faktori shqiptar rëndësi të patjetërsueshme, Shqipëria do të vijojë mbështetjen
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shkup, zhvilloi një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.
Ministri Cakaj vlerësoi si të jashtëzakonshëm rolin e Ahmetit në procesin e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, ngritjen e përfaqësimit të tyre në politika qendrore, mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ahmeti ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ka dhënë një kontribut shumë të vyer në procesin e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, ngritjen e përfaqësimit të tyre në politika qendrore, mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Cakaj.
Gjithashtu, Cakaj bëri me dije se mes tjerash, në takimin me Ahmetin, u theksua edhe rëndësia e patjetërsueshme e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe domosdoshmëria e mbylljes së bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.
Më tej, kryediplomati Cakaj shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj aktiv në forcimin e faktorit shqiptar dhe punën e saj konstruktive për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillim të fqinjësisë së mirë.
Fraksion.com