AktualitetTë fundit

Atentati në Elbasan; Bujar Çela ishte ulur në një nga tavolinat jashtë lokalit

Pronari i lokalit para të cilit ndodhi krimi tronditës në Bradashesh të Elbasanit, ku mbeti i vrarë vëllai i Talo Çelës, 50-vjeçari Bujar Çela, thotë se viktima ishte klient i rregullt i tij.  Ai ka deklaruar se çdo mëngjes shkonte në lokalin e tij për të pirë kafe.

“Nuk ka pasur probleme fare, ishte i rregullt. Njeri shumë i mirë. Ndodhesha në banak kur ndodhi vrasja”, është shprehur ai.

Pronari i lokalit thotë se doli pasi dëgjoi krismat, por se autorët e dyshuar nuk i ka parë.

Ekzekutimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në Bradashesh të Elbasanit, dyshohet të jetë kryer për hakmarrje.

Kjo pasi i ndjeri Bujar Çela, është vëllai i Talo Çelës, i shpallur në kërkim për supergrabitjen në aeroportin e Rinasit, ku u morën 4.6 milionë euro në vitin 2019, por edhe për vrasjen e dy vëllezërve në Durrës.

Talo Çela akuzohet si i përfshirë në ekzekutimin e Viktor Haxhia dhe Besmir Haxhia, në 27 prill në Durrës.

Talo Çela kishte dyshime se vëllezërit Haxhia, kishin informacion se ku fshihej shuma e parave të grabitura në Rinas të cilën ky i fundit mendohet se ua kishte lënë në rruajtje, ku pasi kanë refuzuar që të tregojnë, mendohet se ka organizuar ekzekutimin.

Talo Çela rezulton i shpallur në kërkim qysh prej grabitjes së 9 prillit 2019, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj.

Persona të maskuar ndoqën dhe ekzekutuar 50-vjeçarin Bujar Çela, rreth orës 05.45 të mëngjesit të sotëm, teksa viktima po hynte në lokal për të pirë kafe, pasi punonte si taksist në të zezë.

Në vendin ku u ekzekutua ai priste pasagjerë, por aty u qëllua nga së paku dy persona, duke u vrarë.

Ndërkohë në fshatin Murrash, pak pas krimit u gjet një makinë e djegur tip “Renault” me targa AA876 DC, e cila dyshohet të jetë e autorëve të vrasjes.

 

Fraksion.com