Lukashenka: Perëndimi përpiqet “ta shkatërrojë” Bjellorusinë
Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, akuzoi Perëndimin për përpjekje “për të shkatërruar” vendin e tij, duke i injoruar rezultatet e zgjedhjeve të muajit të kaluar dhe duke bërë përpjekje për të organizuar revolucion kundër tij.
Në një fjalim para zyrtarëve të lartë dhe mediave shtetërore, Lukashenka tha se protestat e vazhdueshme në Bjellorusi janë organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe “satelitët e tyre: Polonia, Lituania, Republika Çeke dhe, për fat të keq, Ukraina”, të cilat “kanë bërë përpjekje të organizojnë një revolucion me ngjyra”.
“Nuk e kemi lejuar dhe nuk do ta lejojmë realizimin e planeve të tyre”, tha Lukashenka.
Bjellorusia është përfshirë nga protestat kundër regjimit qysh pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, të cilat i kanë dhënë Lukashenkës edhe një mandat gjashtëvjeçar.
Mijëra protestues janë arrestuar ose rrahur nga policia.
Protestuesit dhe opozita bjelloruse thonë se zgjedhjet janë manipuluar dhe kërkojnë proces të ri votimesh, të lirë dhe të drejtë.
Lukashenka, i cili është në pushtet qysh në vitin 1994, i ka mohuar akuzat për manipulim të votave.
Sfiduesja e tij kryesore në zgjedhje, Svyatlana Tsikhanouskaya, i hodhi poshtë komentet e fundit të Lukashenkës, duke thënë se ai përpiqet ta devijojë vëmendjen e publikut nga manipulimi i zgjedhjeve dhe shtypja e dhunshme e protestave.
“Ka vetëm një arsye prapa protestave në Bjellorusi dhe ajo është e njohur për të gjithë: Lukashenka i ka humbur zgjedhjet, por ai nuk dëshiron të japë dorëheqje”, tha Tsikhanouskaya në një koment me shkrim për agjencinë e lajmeve The Associated Press.
Fraksion.com