Lajçak: Të enjten, bisedime për pretendimet financiare
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë rënë dakord që negociatorët e tyre të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjeve të pretendimeve të ndërsjella financiare dhe të rregullimeve për komunitetet joshumicë.
“Të dyja temat janë shumë komplekse. Kjo është arsyeja përse ne do t’i diskutojmë pretendimet financiare nesër dhe rregullimet për komunitetin joshumicë në ditët e ardhshme”, shkroi Lajçak në Twitter.
Të enjten në Bruksel do të zhvillohet një rreth i ri i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve.
Më 7 shtator, Hoti dhe Vuçiq janë takuar po ashtu në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, ku kanë hapur temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ata kanë thënë se kur bëhet fjalë për rregullimet për komunitetin joshumicë, mendohet në Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Krijimi i këtij asociacioni është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Të mërkurën, kryeministri Hoti tha se nesër në Bruksel nuk do të disktohet për Asociaionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur më herët për Asociacionin”, tha Hoti.
Më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.
Fraksion.com