Vuçiq e informon patriarkun Irinej për dialogun me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të hënën me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Irinej.
Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Serbisë, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e informoi patriarkun për bisedimet me Kosovën, që janë mbajtur në fillim të këtij muaji në Uashington dhe Bruksel, si dhe për bisedat e tij me udhëheqës botërorë.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kanë nënshkruar më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.
Marrëveshja është nënshkruar në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.
Pas takimit në Uashington, Hoti dhe Vuçiq janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku kanë njoftuar se kanë hapur diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për çështjet pronësore dhe financiare.
Sipas njoftimit të Presidencës serbe, Vuçiq dhe Irinej biseduan edhe për pozitën e popullit serb në Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Republika Sërpska dhe në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës.
Fraksion.com