AktualitetBota+Të fundit

Rivalët afganë bisedojnë për paqen ndërsa sulmet vazhdojnë

Palët ndërluftuese në Afganistan kanë akuzuar njëra-tjetrën për organizimin e sulmeve të reja ndërsa përfaqësuesit e tyre po zhvillojnë në Katar bisedime historike për paqe, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Si pasojë e përleshjeve mes forcave afgane të sigurisë dhe kryengritësve talebanë gjatë 24 orëve të fundit njoftohet se janë vrarë disa persona, si luftëtarë nga të dyja palët ashtu edhe civilë. Dhuna mbetet një sfidë e madhe për dialogun e shumëpritur që po zhvillohet në kryeqytetin e Katarit në Doha, mes ekipeve negociuese të nivelit të lartë të grupit Taleban dhe qeverisë së Kabulit.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se diskutimet mes rivalëve afganë do të përqendrohen në kërkimin e një “armëpushimi gjithëpërfshirës” dhe një marrëveshje politike që synon t’i japë fund katër dekadave armiqësie në vendin e Azisë Jugore.

Bisedimet, të njohura zyrtarisht si negociatat ndërafgane, filluan të shtunën vetëm disa orë pas një ceremonie hapjeje të nivelit të lartë në Doha, ku mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Delegatët e qeverisë afgane thanë të dielën se “kishte një frymë pozitive” në ndërveprimin paraprak mes dy ekipeve negociuese.

“Dhuna duhet të ulet djeshëm me fillimin e negociatave në mënyrë që të arrijmë një armëpushim humanitar”, tha Abdullah Abdullah, kryetari i Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar, para gazetarëve në kryeqytetin e Katarit.

Zoti Abdullah udhëtoi për në Doha me ekipin negociator të qeverisë për paqen, për të përfaqësuar Kabulin në ceremoninë e hapjes të së shtunës.Negociatorët e të dy palëve u takuan përsëri të dielën në mbrëmje pas dyerve të mbyllura njoftoi zëdhënësi i Talebanëve.

Zyrtarët talebanë këmbëngulën që krijimi i “një qeverie islamike” në Afganistan dhe lirimi i mijëra kryengritësve nga paraburgimi do të ishin çështjet përparësore për ta në tryezën e bisedimeve.

“Ne duam jo vetëm një armëpushim por edhe një fund të luftës”, i tha Abdul Salam Hanafi, një anëtar i ekipit negociues Taleban, kanalit televiziv afgan Tolo News.

Ndërkohë, zyrtarët në Afganistan thanë se në kundërshtim me pritshmëritë e tyre fillimi i dialogut të paqes në Doha nuk e kishte zvogëluar dhunën e shkaktuar nga kryengritësit.

“Për fat të keq, niveli i dhunës dhe sulmeve të Talebanëve ndaj ANDSF (Forca Kombëtare e Mbrojtjes dhe Sigurisë) dhe civilëvë afganë nuk është ulur“, i tha Zëri i Amerikës zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, Fawad Aman.

Një zëdhënës i Talebanëve konfirmoi se luftëtarët e saj i kishin zënë pritë një autokolone afgane, pranë krahinës veriore Kunduz, për t’i ndaluar ata që të fillonin një operacion kundër pozicioneve të kryengritësve.

Zabihullah Mujahid, i cili informon mbi sulmet e kryengritësve në fushë-betejë, tha se forcat qeveritare të sigurisë, në dy ditët e fundit kanë bombarduar zona me civilë nën kontrollin e Talebanëve, duke shkaktuar viktima. Ai gjithashtu shkruante në Twitter se forcat amerikane kishin kryer një sulm me dron në provincën lindore Logar dy ditë më parë në shkelje të marrëveshjes së tyre me talebanët, duke pretenduar se gjatë sulmit ishin vrarë e plagosur civilë. Por një zëdhënës ushtarak amerikan në Afganistan i hodhi poshtë si të rreme këto pretendime.

 

Fraksion.com