“Këshilli Politik”; Opozita e Bashkuar konfirmon pjesëmarrjen: Vijimi i punës në mirëbesim
Opozita e Bashkuar në një letër dërguar përfaqësuesit të PS-së Damian Gjiknuri, konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik sot në orën 18:00, por vë kusht paprekshmërinë e koalicioneve.
Në letrën drejtuar Gjiknurit, thuhet se “Partia Socialiste ka ndërmarrë një akt të paprecedentë të dhunimit të besimit mes palëve politike, nëpërmjet ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës për çështje që prekin zgjedhjet, në kundërshtim flagrant me Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit. Kjo gjë vjen në një kohë, kur partitë politike kishin rënë dakord të punonin bashkërisht në Këshillin Politik, i cili u krijua për të siguruar gjithëpërfshirjen dhe konsensusin mes palëve për Reformën Zgjedhore”.
Po ashtu, Opozita shton se “pavarësisht njëanshmërisë suaj dhe shkeljes flagrante te Marrëveshjes se 5 Qershorit dhe 14 Janarit, Opozita e Bashkuar ka treguar dhe rikonfirmon vullnetin e saj për t’i qëndruar dhe respektuar marrëveshjet politike të nënshkruara nga ana jonë. Kjo jo vetëm në respekt të votuesve tanë dhe qytetarëve shqiptarë, por edhe të partnerëve tanë strategjikë që kanë qenë të angazhuar me seriozitet dhe përkushtim, duke filluar me ngritjen e Këshillit Politik dhe gjatë gjithë kohës së funksionimit të tij”.
“Ndryshe nga Partia Socialiste që synon të minojë dialogun politik, Opozita e Bashkuar, është e vendosur për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe interesin më të mirë të Shqipërisë, për një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në përgjigje edhe të apelit të vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, për shkak se kjo çështje lidhet drejtpërdrejtë edhe me procesin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimi Europian. Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe Marrëveshjes së 14 Janarit dhe, pavarësisht provokimeve të herëpashershme që bëhen nga ana e Partisë Socialiste, jemi të palëkundur në vullnetin tonë për respektimin e këtyre marrëveshjeve, si rruga e vetme për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pritshmërisë që ato kanë nga Reforma Zgjedhore”, shprehet opozita.
Në vijim, Opozita thekson se “për të gjitha sa më sipër, duke shprehur qëndrimin e detajuar bashkëlidhur kësaj shkrese, konfirmojmë se: Vijimi i punës në Këshillin Politik duhet të kryhet në mirëbesim mes palëve, duke respektuar Marrëveshjet politike të nënshkruara më parë, të 14 Janarit dhe 5 Qershorit, si dhe standardet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nën këtë premisë, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e radhës, ditën e hënë, ora 18.00”.
“Formula aktuale e koalicioneve parazgjedhore dhe për rrjedhojë formula e shpërndarjes së mandateve, është pjesë e ligjit nr. 101/2020, datë 23.07.2020, që kodifikoi Marrëveshjen e 5 Qershorit, veçanërisht në nenet 19 dhe 36, ku parashikohen koalicionet parazgjedhore të partive politike, që konkurojnë në zgjedhje me lista të veçanta dhe mënyrën e ndarjes së mandateve brenda koalicionit. Për Opozitën këto dispozita ligjore janë të pandryshueshme”, shprehet opozita.
Fraksion.com