Hulusi Akar: Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Mesdheun Lindor
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se “sakrifikimi i të drejtave” të Turqisë në Mesdheun Lindor “nuk vjen në shprehje”.
“Ne kemi të drejta, shqetësime dhe interesa në Mesdheun Lindor. Disa vende po bëjnë kundërveprime dhe po ndërmarrin hapa. Ne i ndjekim me shumë durim”, tha Akar, duke ndjekur aktivitetet e Ditës së Vëzhguesve të Shquar të Stuhisë Mesdhetare, një stërvitje ushtarake pesëditore.
Duke theksuar se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj, Akar tha se nuk mund të flitet për sakrifikim dhe heqje dorë nga të drejtat në rajon.
“Ne jemi në favor të paqes, dialogut, negociatave dhe zgjidhjes së çështjes me mjete politike”, tha Akar, duke shtuar se nuk do të lejojnë asnjë veprim dhe padrejtësi kundër të drejtave të Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore.
Duke nënvizuar rëndësinë e kryerjes së stërvitjeve ushtarake, Akar përgëzoi të gjithë personelin që mori pjesë me sukses në stërvitje.
Forcat e armatosura të Turqisë dhe Qirpos Turke filluan stërvitjet e përbashkëta ushtarake në Qipron Veriore më 6 Shtator.
Stërvitja në Republikën Turke të Qipros Veriore, Stuhia Mesdhetare Kapiteni Cengiz Topel, u emërua sipas një piloti të Forcës Ajrore Turke i cili ra dëshmor gjatë konfliktit në ishull në vitin 1964.
Tensionet në rajon kanë qenë të larta që kur Turqia rifilloi kërkimet e energjisë në Mesdheun Lindor muajin e kaluar, pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme për caktimin e kufijve detarë, duke shkelur gjestin e vullnetit të mirë të Ankarasë për të ndaluar kërkimet e mëparshme.
Turqia vazhdimisht ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekonomike ekskluzive bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.
Ankaraja ka theksuar gjithashtu që burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore dhe Administratës Greke Qipriote.
Mes tensioneve mbi territorin mesdhetar dhe kërkimit të energjisë, Turqia ka theksuar vazhdimisht gatishmërinë e saj për të filluar negociata pa parakushte, për dallim nga refuzimi i Greqisë në javët e fundit për të hyrë në dialog përmes NATO-s ose BE-së.
Të dielën, kryeministri i Greqisë tha se ai është i gatshëm të flasë me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan nëse tensionet midis dy vendeve ulen./AA
Fraksion.com