AktualitetBota+Të fundit

Gjermania: Dy laboratorë privatë konfirmojnë helmimin e Navalnyt me Noviçok

Gjermania ka thënë se analizat e pavarura të dy laboratorëve në Francë dhe Suedi kanë konfirmuar se kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny është helmuar me agjent nervor të grupit Noviçok.

“Tre laboratorë tani ndaras kanë ofruar të dhëna të agjentit nervor, të grupit Noviçok, si shkas për helmimin e Navalnyt. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të sqarojë çfarë ka ndodhur. Ne jemi në kontakt të ngushtë me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm”, ka thënë qeveria gjermane përmes një deklarate më 14 shtator, teksa ka bërë të ditura gjetjet e reja.

Navalny është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe më vonë është dërguar në Gjermani për trajtim, me kërkesë të gruas së tij.

Ekspertët gjermanë kanë thënë se 44-vjeçari, që synon të luftojë korrupsionin, është helmuar me agjent nervor të kategorisë ushtarake.

Këto të dhëna kanë shtyrë liderët botërorë që t’i kërkojnë Rusisë hetimin e rastit.

Autoritetet ruse kanë refuzuar hapjen e ndonjë hetimi penal, duke thënë se nuk kanë të dhëna për shenja të helmimit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë më 10 shtator se ka mundësi që helmimi është udhëruar nga zyrtarë të lartë të Moskës.

Ekipi i Navalnyt, të afërmit dhe të tjerë besojnë se autoritetet ruse qëndrojnë mbrapa helmimit.

Mirëpo Kremlini ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.

 

Fraksion.com