AktualitetTë fundit

“3 të dënuarit në Durrës dhe Vorë”; OFL u dërgon formularin: Vetëdeklaroni burimet e pasurisë

Policia e Shtetit në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit u ka dërguar formularin e pasurisë tre të dënuarve, 2 në Durrës dhe 1 në Vorë, të dënuar për vepra penale si “Trafikim narkotikësh”, “Vrasje”… etj.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se OFL në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, u ka nisur kërkesat me shkrim për vetë deklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. Z., banues në Vorë, Tiranë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; D. G., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; M. F., banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Sipas policisë, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

 

Fraksion.com