AktualitetBota+Të fundit

Berlini dhe Parisi do të pranojnë të mitur nga Moria

400 të mitur të pashoqëruar janë larguar nga Greqia pas zjarrit në Moria. Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron shpresojnë që vendet e tjera të BE, përveç Gjermanisë dhe Francës, të marrin pjesë në pranimin e tyre.

Gjermania dhe Franca do të pranojnë refugjatë të mitur nga kampi i djegur grek Moria. Kancelarja gjermane Angela Merkel e konfirmoi në mbrëmje këtë iniciativë. Merkeli tha se kryeministri grek Qirjako Mitsotakis ua kërkoi ta ndërmarrin këtë hap.

Migrimi nuk është vetëm problemi i vendeve ku mbërrijnë migrantët, por duhet të bëhet një përgjegjësi evropiane, tha ajo më tej. Aktualisht nuk ka një politikë të përbashkët evropiane të migracionit. “Dhe po të mbetet kjo gjendje, do të jetë një barrë e rëndë për Evropën.”

“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë që njerëzit atje jetojnë në kushte degraduese,” tha Merkel, duke iu referuar Moria dhe qendrave të tjera të pritjes. Zjarri në kampin e refugjatëve “tregoi si në një lupë si është gjendja”. Gjermania dëshiron më tej të ndihmojë në krijimin e kushteve të reja dhe më të mira në Moria. “Gjendja nuk mund të mbetet kështu”.

Qeveria gjermane tani do të përpiqet të bindë edhe shtete të tjera të BE të marrin pjesë. Sipas informacionit të Agjencisë gjermane të shtypit dpa, 400 vajza dhe djem pritet të vijnë nga ishulli i Lesbos. Gjithnjë e më shumë qytete dhe komuna po ofrojnë tani të marrin refugjatë prej atje. Sipas kryetarit të bashkisë së Mynihut, Reiter, Mynihu dëshiron të strehojë deri në 300 refugjatë.

Zëvendëskancelari Olaf Scholz (SPD) premtoi mbështetje të shpejtë për fëmijët dhe të rinjtë e prekur. Ai beson “se tani do të ketë një zgjidhje të shpejtë për refugjatët e mitur të pashoqëruar”. “Gjermania, Franca dhe disa vende të tjera janë gati të bëjnë diçka,” tha Scholz. “Ne jemi duke punuar në këtë drejtim.”

Scholzi e përshkroi si “zhvillim të mirë” që gatishmëria për të ndihmuar me solidaritet po rritet”. Ai iu referua për këtë si Gjermanisë ashtu edhe” Evropës në përgjithësi”. Kur u pyet nëse Ministri Federal i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) ishte përfshirë gjithashtu në ndihmën e planifikuar për refugjatët e Morias, Scholz tha se ishte” i sigurt se qeveria do të punojë së bashku për të garantuar që Gjermania të japë një kontribut të bazuar në solidaritet”.

 

Fraksion.com