AktualitetPolitikëSportTë fundit

Rama: Liga e përbashkët e Basketbollit Shqipëri-Kosovë, një ëndërr shumëvjeçare tashmë bëhet realitet

“Liga e përbashkët e Basketbollit, Shqipëri-Kosovë është një ëndërr shumëvjeçare që tashmë bëhet realitet”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në eventin e organizuar për Ligën Unike të Basketbollit, ndërkohë që nga edicioni i ardhshëm 2020-21, ekipet më të mira profesioniste të basketbollit shqiptar dhe atij nga Kosova do të konkurrojnë në një ligë të përbashkët.

Rama tha se “Liga Unike e Basketbollit është vetëm dallëndyshja e parë, e shumë bashkëpunimeve të ngjashme që do të ndodhin në sporte të tjera”.

“Hapi i radhës është shtrirja e programit të masivizimit të sportit në shkolla në të dy anët e kufirit. Në këtë mënyrë, fëmijët tanë, vëllezër të të njëjtit gjak, do të kenë mundësinë që të njihen dhe bashkëpunojnë përmes sportit që në hapat e parë të jetës së tyre”, tha ai.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama paralajmëroi mundësinë e bashkëpunimeve të reja midis federatave të tjera, si ajo e volejbollit, etj.

“Ne jemi më shumë se sa thjesht mbështetës, jemi absolutisht duartrokitës të kësaj nisme dhe të gjitha nismave që mund të vijnë pas kësaj në funksion të krijimit të një bashkërendimi konkret për të realizuar Liga Unike jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në të tjera drejtime. Sigurisht që kjo është pak si ‘veza e Kolombit’ që kur e sheh të ndodhi duket sikur është e çuditshme sepse nuk ka ndodhur më parë. Patjetër që është dashur një periudhë pjekurie e këtyre ideve. Dëshirat kanë ekzistuar prej kohësh. Unë e mbaj mend prej kohësh këtë dëshirë të miqve të mi që i janë përkushtuar Federatës së Basketbollit, por idetë kanë nevojë për kohën e tyre dhe fakti se kësaj ideje i erdhi koha është shumë i gëzueshëm”, – tha Rama.

Ai shtoi se shumëçka sot duket e vonuar, por në fakt deri përpara jo më shumë se 10 vitesh dukej fantashkencë. “Këtu kam parasysh një fakt shumë të thjeshtë. Jo shumë larg në kohë fëmijët shqiptarë këtej dhe andej kufirit mësonin shqip me abetare shumë të ndryshme. Jo shumë larg në kohë sistemet tona arsimore ishin krejtësisht të ndara në rrugë krejt të ndryshme. Sot jo vetëm që ka një abetare unike, por mësohet në shkollë në një rrugë që është goxha e përafërt për të mos thënë 100% e njëjta. Ka ende detaje, por pa asnjë diskutim”, – tha Rama.

Ai tha se “sot, rruga e marrjes së mësimeve të para dhe e edukimit në sistemin arsimor në të dyja anët e kufirit është një rrugë e re dhe tanimë krejt e zakonshme”. “Ashtu sikundër jo shumë vite më parë studentëve këtej dhe andej kufirit i duhej një mal për t’u kapërcyer me burokraci që të mund të studionin lirisht këtu ose në Prishtinë”.

“Sot nuk është më kështu as në shumë aspekte të tjera përfshirë edhe aspektin e ndërveprimit ekonomik e tregtar, pavarësisht se ende ka goxha për të përputhur akoma. Por krijimi i Ligës Unike shkon një hap më tutje dhe përbën një moment shkuarje në një nivel tjetër në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Unë kam shumë shpresë dhe besim se kjo do të bëhet shtysë me siguri për të tjerët, aq më tepër që në fushën e sportit ne s’jemi të mëdhenj edhe nëse jemi bashkë, jo më të ndarë që jemi shumë të vegjël. Sot krijimi i Ligës e çon edhe këtë shkëmbim dhe njehsim në një nivel tjetër pa asnjë diskutim”, – tha Rama.

Ai tha se krijon po ashtu më tepër hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në parket në fushën e basketbollit.

“Jam po ashtu i bindur se kjo është një eksperiencë që do ta bëjë shumë të shpejt dhe do ta nxisë shumë më tepër edhe mekanizmin jo fort të lehtë për t’u vënë në lëvizje për shkak të një segmentimi të madh të aktiviteteve të përbashkëta sportive në nivel universitar apo parauniversitar. Ideja aspak e re tanimë e organizimit të kampionateve të përbashkëta universitare dhe parauniversitare dhe e përfshirjes edhe të sistemit të klasave sportive në një hapësirë të përbashkët duhet me patjetër të marri rrugë”, – shtoi Rama.

Rama tha se, “ne sot si shqiptarë jemi më mirë se kemi qenë ndonjëherë tjetër në histori në aspektin e pozicionit dhe të drejtave kudo ku jetojmë në rajon”.

“Nëse i referohemi fakteve krahasimi me jo shumë vite më parë, por 10 vite më parë është si dita me natën. Patjetër që hapësira në të cilën ndodhemi ka shumë potencial për tu forcuar  e zgjeruar me më shumë energji dhe për të prodhuar më shumë në të gjitha aspektet, por të mos harrojmë se nuk ka qenë 100 vjet para koha kur lojtarët shqiptarë të basketbollit u arrestuan në parket vetëm pse ishin shqiptarë në ndeshjen Trepçë-Mitrovicë, një realitet që sot duket si ëndërr e keqe”, – tha ai.

Rama shtoi se “kjo do të ndihmojë me siguri, ashtu sikundër edhe dialogu dhe ndërveprimi mes ligës dhe të dyja qeverive tona për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe për të kërkuar nga Liga ndihmë, që ky shembull të promovohet përtej vijave të bardha të fushës, si një shembull që të tjerët nuk duhet të vonojnë ta zbatojnë”.

 

Fraksion.com