AktualitetPolitikëTë fundit

Nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë; Meta, Berisha e Basha autorët e marrëveshjes reale që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë dhe negociatat janë ndërprerë në momentin që ka ndryshuar qeveria në Greqi”.

I ftuar në një studio televizive,  të emisionit “Open”, Rama tha se “për të pasur një marrëveshje duhet të ketë firma duhet të ketë vula dhe jo vetëm kaq, por ajo nuk është e vlefshme edhe me firma dhe me vula deri kur kalon në disa etapa”.

Pra nëse ka një “grup të ri negociator që është i ngarkuar me plotfuqi nga Presidenti i Republikës, ky grup negociator mund të bëj sipas opinionit të tij një marrëveshje, por ajo nuk është ende e vlefshme nëse nuk shkon te Kuvendi  Shqipërisë, nëse nuk kalon Presidentin si instancë dhe Presidenti aktual ka thënë që ai do ta çojë marrëveshjen paraprakisht në Gjykatën Kushtetuese. Është gjithë ky proces”, tha Rama.

Por sipas tij, duke qenë se mjedisi shqiptar jo vetëm në Shqipëri edhe në Kosovë dhe në oxhaqe të tjera ku shqiptarët mblidhen, ushqen vetveten me thashetheme kemi arritur në absurdin që një vend i tërë u përfshi në një thashethem që ka lindur nga hiçi”.

“Kryeministri Micotaqis nuk ka folur fare në deklaratën e tij për ndonjë shtrirje në ujërat që janë objekt i kësaj negociate dhe i përpjekjes për një marrëveshje, por ka folur për një parim dhe ai parim nuk është i aplikueshëm dot në raport me Shqipërinë për një arsye shumë të thjesht, se nuk përmbushen kushtet. Që do të thotë se Konventa thotë që të gjitha shtetet kanë të drejtën e tyre sovrane. Kryeministri i Greqisë ka folur për një të drejtë sovrane. Nuk ka vendosur të çoj asgjë asgjëkundi në raport me Shqipërinë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se deti Jon nuk ndan vetëm Shqipërinë me Greqinë dhe deti Jon nuk mbaron në Konispol. “Ai ka folur për një të drejtë sovrane të tij. Ka qenë shumë korrekt dhe ka folur në parlamentin grek kur po ratifikohej marrëveshja e ujërave me Italinë. Kryeministri grek flet në parlamentin e Greqisë, thotë ‘Jon’ dhe këtu plas peshku në një formë që është aq haluçinante që të duket sikur jeton në floktoren e Ollgës. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë ata që e gjuajnë peshkun. Monika e skuq me desperado. Këta janë autorët e një marrëveshje reale me firmë e vulë dhe që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, si një marrëveshje që cënon interesat kombëtare”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se edhe Ministri i jashtëm i Greqisë ka thënë të njëjtën gjë dhe nuk ka asnjë gjë jokorrekte. “Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë dhe të gjithë politikanët grekë komunikojnë me publikun e tyre dhe kanë të drejtën e tyre t’ia komunikojnë një politikë apo vendimmarrje të caktuar siç zgjedhin ata vetë. Si ka mundësi një fjali në ratifikimin e marrëveshjes me Italinë dhe Egjyptin e hedh peshkun përpjetë në Tiranë?”, tha Rama.

“Këta të tre duhet ta qepin gojën se e kanë treguar veten të paaftë. Ata nuk do ta qepin, por është mirë ta bëjnë kur flitet për interesa kombëtare sepse kanë treguar që janë të paaftë për të kuptuar lartësinë e interesave kombëtare. Çfarë duhet të bëjnë më keq për interesat kombëtare se sa të tregohen të paaftë për nënshkrimin e një marrëveshje të cilën Gjykata Kushtetuese e rrëzoi me 9 vota?”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se me kryeministrin Micotaqis ka folur 2 herë. “Një herë kur me shumë mirësi më ka marrë në telefon dhe më ka thënë çfarë duhet të bëj unë, kur ra tërmeti dhe ka dërguar trupat e kërkim-shpëtimit me shpejtësi dhe herën e dytë kemi folur kur unë jam konsultuar me të për çështjen e fazës 2 të përballjes me COVID, kur bëra një tur konsultash me kolegët në Europë. E kam takuar në ndonjë rrethanë në këmbë. Takimi i vetëm që kemi pasur, një në OKB dhe një tjetër në Athinë ku nuk kemi folur asnjë sekond për këtë çështje, kemi qenë në prani të delegacioneve. Ai është shprehur shumë konstruktiv dhe i besueshëm për mua për të çuar para një proces të nisur me qeverinë e mëparshme dhe për t’i avancuar përpara çështjet dhe çoi në parlament çështjen e patentave”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “këto janë interpretime të deklaratave të politikanëve të lartë të shtetit fqinj që flasin greqisht me publikun e tyre dhe që t’i marrësh fjalët e tyre shqip dhe t’i kthesh si arsye për të hedhur peshk në tigan është banale”.

“Nuk ka marrëveshje me Greqinë. Nuk ka negociata. Ne kemi qenë që ditën e parë, si me kryeministrin Samaras dhe me Cipras, dhe linja ime ka qenë gjithmonë se kjo është një temë e vështirë dhe ju keni pozicionin tuaj, ne tonin. Është mirë që kjo të zgjidhet. Ka dy rrugë ose t’i besojmë një pale të tretë, ndodh që dy shtete i drejtohen një shteti të tretë mik ku i kërkojnë një lloj arbitrazhi joformal, ose shkojnë në arbitrazh ndërkombëtar dhe aty paraqesin opinionet. Sepse klubet e peshkatarëve që kemi në vendet respektive do peshkojnë miljet në çdo marrëveshje që do bëhet dhe direkt del tradhti. Aq më tepër këta të tre që janë autorë të një akti që i turpëron”, tha Rama.

 

Fraksion.com