AktualitetTë fundit

Jep dorëheqjen kryegjyqtari i Elbasanit, Zihni Shahu

Ka dhënë dorëheqjen kryetari i gjykatës së Elbasanit Zihni Shahu. Dorëheqja mësohet se është dhënë pak ditë më parë duke u dorëzuar në sekretarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Zihni Shahu, qëndroi në këtë detyrë për gati 10 muaj, pasi u emërua nga KLGJ për të drejtuar gjykatën e Elbasanit, menjëherë sapo “Vettingu” shkarkoi Sulejman Kurtin.

Dorëheqja e Zihni Shahut, vjen në një kohë kur “lufta” kundër njerëzve të drejtësisë është ashpërsuar, si nga prokuroria e posaçme SPAK,e cila dy ditë më parë arrestoi gjyqtaren e Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka ashtu dhe nga “Vettingu”, i cili brenda tre ditëve miratoi shkarkimin e ish-kryetarit të gjykatës së Fierit Roland Jaupi, dhe shkarkimin e ish-drejtuesit të prokurorisë Fier, Fatmir Lushi. Ndërsa sot u shkarkua nga Vetting dhe gjyqtari i Apelit Tiranë, Artur Gaxhi.

Me sa duket njohja me provat e gjetura në raportin përfundimtar, kanë qënë dhe motivet që detyruan kryetarin e gjykatës së Elbasanit, Zihni Shahu, të japë dorëheqjen dhe të largohet vullnetarisht nga detyra.

Mësohet se Shahu, do vijojë të qëndrojë në detyrë deri në fund të muajit, ku do kryejë dorëzimin e dosjeve dhe materialeve të tjera të punës.

 

Fraksion.com