Fillimi i fluturimeve direkte Tiranë-Pragë, i domosdoshëm
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Genc Cakaj zhvilloi sot një takim në Pragë, me ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Tomáš Petříček, ku u diskutua për rëndësinë e rritjes së ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve.
Ministri Cakaj theksoi se mbajtja e mbledhjes të Grupit të Përbashkët të Punës për Bashkëpunim Ekonomik dhe fillimi i fluturimeve direkte Tiranë-Pragë, janë hapa të domosdoshëm për të forcuar më tej lidhjen ekonomike mes dy vendeve.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për rëndësinë e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë e Bashkimit Europian.
“Republika Çeke është një mbështetëse e fuqishme politike e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e gatshme edhe për dhënien e ndihmës teknike në rrugën europiane të Shqipërisë”, tha Cakaj.
Ai theksoi se bashkëpunimi në rrafshin e diplomacisë shumëpalëshe mbetet jashtëzakonisht i vyer.
“Krahas bashkëpunimit, veçanërisht në dimensionin njerëzor, në kuadër të OSBE-së, tashmë ekziston edhe mbështetja për përpjekjen e Shqipërisë për t’u bërë anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit 2022-2023”, tha Cakaj.
Fraksion.com