AktualitetPolitikëTë fundit

“Debat absurd “; Rama: Çoroditje për njerëzit e ndershëm kufiri detar me Greqinë

Kryeministri Rama deklaroi mbremjen e sotme se 12 miljet dhe marrëveshja me Greqinë nuk qëndrojnë bashkë.

“12 miljet dhe marrëveshja nuk qëndrojnë bashkë. O ka 12 milje dhe s’ka marrëveshje, o ka marrëveshje e s’ka dot 12 milje. 12 miljet janë një kriter i të drejtës së detit në konventën ndërkombëtare të së drejtes së detit që i jep çdo vendi mbi qasjen në det, të drejtën që të zgjerohet 12 milje në ujërat territoriale aty ku kjo është e mundur. Ndërsa aty ku kjo nuik është e mundur bëhen marrëveshje. Nëse Greqia do të mund të zgjerojë 12 milje thjesht duke ushtruar atë të drejtë në raport me Shqipërinë,  nëse do të mund të zgjerohej kështu dhe po bën një deklaratë që po ushtron këtë të drejtë, do ta kishte bërë me kohë dhe nuk kishte nevojë të bënte marrëvshje këtu as me qeverinë e mëparshme dhe as nuk priste të bënte marrëveshje. Në raport me Italinë, Greqia këtë gjë mund ta bëjë dhe e ka bërë faktikisht. Është shumë e thjeshtë: një dhe një që bëjnë dy”, tha Rama.

“Kryeministri i Greqisë në fjalën e tij ka qenë krejt korrekt, ka përmendur ekzaktësisht një të drejtë të shtetit të tij që nuk i ka ujërat detare vetëm me Shqipërinë. Joni nuk mbaron në Konispol. Ai ka folur për detin Jon kur ka folur në parlamentin e Greqisë ditën kur i ka kërkuar votën deputetëve për të ratifikuar dy marrëveshje detare me Egjiptin dhe Italinë. Tani ai thotë një fjalë atje që nuk ka fare lidhje me ne, këtu plas peshku dhe dalin peshkatarët nxjerrin tiganin edhe të kapin çfarë të kapin. Ky është një absurditet i madh sepse një marrëveshje ka firmë, ka vulë, ka datë ndërsa kjo marrëveshje nuk ka një firmë, një vulë dhe një datë sepse mund ta bëjë një grup negociator një marrëveshje me një firmë, me një vulë me një datë por ajo marrëveshje vjen në qeveri, nga qeveria shkon në parlament dhe parlamenti shkon tek Presidenti.  Presidenti aktual ka thënë që do ta cojë në Gjykatë Kushtetuese”, deklaroi Rama.

“Nuk ka mundësi reale që të jesh në gjendje duke qenë kryeministër që të falësh, të shesësh, të dhurosh, të humbësh detin përveçse kur je aq i paaftë dhe aq i pafytyrë sa ata të cilët e firmosën marrëveshjen e kaluar dhe këtu kam parasysh tre aksionerët kryesorë të klubit të peshkatarëve që është iliri, Saliu, Luli se Monikën nuk po e fus tek këta të tre sepse Monika skuq peshk, nuk kap peshk”, u shpreh Rama.

“Dhe mbasi bënë një marrëveshje qesharake që ra në Gjykatë Kushtetuese, tani kanë dalë të mbrojnë detin nga unë dhe kush jam unë: unë jam personi që bashkë me disa të tjerë shkuam në Gjykatë Kushtetuese për atë marrëveshje por nuk çuam atje një thashethem, nuk çuam atje asnjë fjalim të kryeministrit grek. Çuam një marrëveshje të firmosur dhe të vulosur. Kjo është absurde ku synohet që të çoroditen njerëzit e ndershëm që nuk e ndjekin çdo gjë me vëmendje por që janë sensibël me këto tema”, tha Rama.

“Një marrëveshje okulte për të ndarë detin nuk realizohet dot sepse ti mund ta bësh okulte por ku do e çosh. Marrëvshja e 2009 nuk ka qënë jo transparente në vetvete se nuk bëhet transparenca në negociata, nuk ekziston kjo. Negociatata kanë taktikat e tyre, kanë metodat e tyre. Ti nuk bën transparencë se ti je duke negociuar me një palë tjetër. Negociatën e bën një grup negociator, grupi referon në pika të caktuara institucionet dhe kur formësohet bindja që jemi në kushtet që mund të firmoset marrëveshja, marrëveshja firmoset por ajo bëhet transparente në momentin kur del nga dora, vjen në qeveri dhe në atë moment ka dalë e bie në dorën tuaj, bie në doren e ekspertëve. Faktikisht marrëveshja e kaluar u bë, u diskreditua kur një ekspert i të drejtës së detit, një ushtarak patriot si Myslym Pasha ngriti zërin. Ato dokumenta nuk kanë qenë sekrete”, u shpreh Rama.

“Pala greke dhe çdo palë në planet që ka qasje në det, ka një të drejtë që nuk varet fare se çfarë mendon fqinji, që është e drejta e konventës së Montego Bay që thotë që çdo shtet mund të shtrihet 12 milje përtej ujërave të tij territorialë, aty ku kjo është e mundur. Aty ku kjo nuk është e mundur shtetet bëjnë marrëveshje. Nëse pala greke do ta kishte të mundur të shtrihej 12 milje në pjesën që na intereson ne në detin Jon se deti Jon nuk mbaron në Konispol, ju e thatë vetë që bën edhe Italia pjesë, atëherë nuk ishte nevoja fare të na informonte pala greke. Pala greke bën atë që ka bërë pala shqiptare në vitin 1990, ka informuar Kombet e Bashkuara: I ka thënë, unë po e ushtroj këtë të drejtë dhe e ka ushtruar 6 milje. Pala greke në mënyrë shumë korrekte i është përmbajtur kësaj. Po të qenë që pala greke do të ketë mundësinë me të drejtën e detit të shtrihet 12 milje, nuk ka farë çfarë të na informojë, çfarë të na pyesë ne. Pala greke informon OKB, i thotë unë këtu u shtriva: mirupafshim. Siç e ka informuar Shqipëria në shtrirjen e saj në 1990, pala greke nuk ka ngritur ndonjëherë ndonjë problem, nuk ka sesi ta ngrejë sepse nuk e ka pyetur Shqipëria dhe nuk ka sesi ta pyesë. Kështu që Greqia nuk na pyet ne fare nëse ushtron të drejtën ndërkombëtare të detit”, sqaroi Rama.

 

Fraksion.com