Bjellorusi: Kolesnikova u arrestua në kufi
Gati një ditë nuk pati asnjë informacion mbi vendndodhjen e opozitares bjelloruse, Maria Kolesnikova. Tani policia kufitare në Bjellorusi thotë, se e ka arrestuar Kolesnikovan. Çfarë fshihet pas kësaj?
Këshilli Koordinuues i lëvizjes demokratike bjelloruse ka konfirmuar të hënën, se Kolesnikova është rrëmbyer në qendër të Minskut nga të panjohur. Mbi zhvillimet të martën, Këshilli ka thënë, se ende nuk ka informacione, se ku ndodhet Kolesnikova dhe dy bashkëpunëtorët. “Ne vetëm mund të konfirmojmë faktin, që Maria Kolesnikova nuk donte të largohej me dëshirë nga vendi”, ka thënë Këshilli Koordinues. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Geratschenko bëri fjalë në median sociale, Facebook, për një përpjekje për deportim. “Maria Kolesnikova nuk mund të dëbohej nga Bjellorusia, sepse kjo grua e guximshme përmes veprimeve të saj e bëri të pamundur deportimin e saj.” Disa media kanë shkruar, se Kolesnikova me gjasë e ka grisur pasaportën.
E shtyrë në një mikrobus të zi
Anëtarë të familjes së Kolesnikovës kishin dorëzuar kërkesën për person të humbur tek autoritetet. Një dëshmitare i ka raportuar portalit Tut.by, se Kolesnikova të hënën paradite u fut me zor në një mikrobus. As ajo, as Kravzov apo Rodnenkov nuk arriheshin përmes telefonit. Krahas kandidates së opozitës për presidente në zgjedhjet e 9 gushtit, Svetlana Tichanovskajas që ndodhet në ekzil në Lituani, Kolesnikova është ndër figurat kryesore që kundërshtojnë presidentin Lukashenko. Tichanovskaja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kolesnikovës. Pas zhdukjes të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme, tha në fillim, se nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e opozitares.
Reagimet nga Europa pas zhdukjes të hënën të Kolesnikovës shënjestronin qartë autoritetet në Minsk. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u shpreh për gazetën gjermane “Bild”, se “Ne jemi shumë të shqetësuar për zonjën Kolesnikova. Sipas Maas “arrestimet e vazhdueshme dhe represionet” janë të “papranueshme”. Kurse i ngarkuari i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, është shprehur, se Bashkimit Europian pret “lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave, të cilët para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara më 9 gusht janë arrestuar për arsye politike.”
Me dhunë kundër demonstruesve
Presidenti Aleksander Lukasheko, që zyrtarisht sipas të dhënave ka fituar 80% të votave për një mandat të gjashtë presidencial ka vepruar me ashpërsi kundër demonstruesve, që protestojnë prej disa javësh. Opozita bjelloruse i shikon zgjedhjet si të manipuluara dhe proteston kundër Lukashenkos. Vetëm të dielën e shkuar sipas të dhënave të autoriteteve janë arrestuar më shumë se 630 vetë./dw
Fraksion.com