AktualitetRajoniTë fundit

Postoi foton e Vuçiqit dhe Trumpit; Zakharova kërkon falje: U keqinterpretua

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, kërkoi falje për postimin e saj të mëparshëm në Facebook në lidhje me takimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me presidentin amerikan, Donald Trump, duke deklaruar se ishte “keqinterpretuar”.

Ajo, më 5 shtator, në profilin e saj në Facebook ka publikuar një fotografi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka krahasuar me skenën nga filmi “Basic Instict” (Pasionet e ulëta), me aktoren kryesore Sheron Stone, në të cilën ajo ulet këmbë mbi këmbë.

“Në qoftë se jeni thirrur në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq karrigia është e vendosur sikur po ju marrin në pyetje, uleni sikurse në fotografinë numër dy, kushdo që jeni. Më besoni”, ka shkruar Zakharova.

Zakharova më pas plotësoi postin e saj në të cilin shkroi:

“Më vjen keq, por postimi im u keqinterpretua. E vetmja gjë që shkruhej në të ishte një mosmarrëveshje me qëndrimin arrogant të ‘jashtëzakonshmit’. Truqet e protokollit janë bërë një nga mënyrat që zyrtarët amerikanë përdorin rregullisht për të krijuar artificialisht pamjen e ekskluzivitetit të tyre. Por, kjo është e papranueshme ”, ka shkruar Zakharova.

Postimin e saj e komentoi të shtunën edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Bruksel.

Vuçiq tha se nuk ka asgjë që Serbia e bëri që një pjesë e publikut në Serbi të mos thoshte më të keqen për këtë.

“Kjo flet më së shumti për ta. Për veten e saj flet edhe Maria Zakharova primitivizmi dhe vulgariteti që ajo tregoi flet për të dhe ata që e vendosën. Jo të gjithë mund ta vlerësojnë që Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, se Serbia është ushtarakisht neutrale. Më vjen keq sepse unë Uashington mbrojta marrëdhëniet tona me Federatën Ruse,” u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel.

Gjuriq i përgjigjet Zakharovas: Nuk do të lejoj ta sulmoni Serbinë

Duke reaguar ndaj publikimit të parë të Zakharovës, dejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka porositur Zakharovan se “nuk do t’ia lejojë që ta sulmojë Serbinë”.

Në reagimin e tij, ndaj publikimit të Zakharovas në Facebook, Gjuriq e ka porositur zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, se duhet “të turpërohet”.

Ai ka theksuar që Vuçiq nuk e ka folur asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë, “madje as në atë vend (në Shtëpinë e Bardhë).

“Ndërkaq, paramendojeni që ky president ka pritur për t’u pranuar te presidenti rus madje edhe nga 1 orë e gjysëm dhe asnjëherë nuk ka kërkuar karrige të veçantë. Unë nuk ju lejoj që ta sulmoni Serbinë krenare. Turp ju qoftë”, ka shkruar Gjuriq në Tëitter.

Vulin: Pas Vuçiqit mbesin veprat, pas Zakharovas mbetet dashakeqësia

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë që zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë “ i ka ofenduar të gjithë ata që e mbrojnë edhe Rusinë në Serbi”.

Duke reaguar në publikimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, Vulin ka shtuar që “ Vuçiqi, popullin e tij dhe miqtë e popullit të tij, asnjëherë nuk i ka braktisur, as nuk i ka ofenduar dhe as poshtëruar”.

“Zakharova na ka ofenduar të gjithë neve që e mbrojmë edhe Rusinë edhe Serbinë në vende më të vështira se sa në publikimet e saj në Facebook. Armiqtë e Serbië dhe Rusisë janë të gëzuar sot me dashakeqësinë e vogël të Zakharovas. Pas Vuçiqit mbeten veprat, pas Zakharovës dashakeqësia për të cilën do t’i vijë turp”, ka thënë Vulin përmes një deklarate.

Ai ka shtuar që “Vuçiq është burrështetasi i vetëm në Evropë, i cili ka refuzuar që t’i vendosë sanksione Rusisë, si është komandanti suprem i ushtrisë, me të cilën forcat e Federatës Ruse kanë bahkëpunimin më të madh dhe më të frytshëm”.

Vulini theksoi që “ madhështia e njeriut nuk matet me madhësinë e karrigës në të cilën ulet e as me madhësinë e fuqisë në emër të së cilës flet, po me madhështinë e guximit që në secilën karrige ta mbrojë popullin dhe miqtë e popullit të vet”.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Në ceremoninë e nënshkrimit ka qenë i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Pas shumë vitesh, dekadash të historisë tragjike dhe të dhunshme, si dhe të viteve të bisedimeve të dështuara, administrata ime propozon një mënyrë të re për tejkalimin e ndryshimeve, duke u fakusuar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”, ka thënë Trump, duke e cilësuar marrëveshjen si një përparim i madh, i cili “botën e ka bërë më të sigurtë”.

Trump gjithashtu ka theksuar që është krenar me liderët e Serbisë dhe Kosovës, (presidentin Aleksandar) Vuçiqin dhe (kryeminisrin Avdullah) Hotin, të cilët kanë vënë nënshkrimet e tyre në marrëveshje.

Të hënën, më 7 shtator, presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Hoti, do të takohen sërish në Bruksel për të mbajtur një raund të ri të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë politik./rel

 

Fraksion.com