Kërkimet në Mesdheun Lindor; Ministria e Mbrojtjes së Turqisë poston video “speciale” për anijen Oruç Reis
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë postoi një video “speciale” e cila tregon situatën e fundit në terren të anijes kërkimore Oruç Reis e cila vazhdon aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor.
“Oruç Reis, këtu flet TCG Gediz…” Këto shprehje nuk janë vetëm një njoftim në radio marrëse por gjithashtu shprehin lutjet edhe të 83 milionëve dhe fuqinë e marinës turke. Teksa anija kërkimore Oruç Reis vazhdon aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor, edhe Forcat e Armatosura Turke vazhdojnë me vendosmëri detyrën e saj shoqëruese.
Në videon speciale që ministria ka postuar në faqen e saj të internetit paraqiten fjalimet në radio marrëse që shkëmbehen mes elementëve të Komandës së Forcave Detare që ndodhen me detyrën e shoqërimit të anijes e cila vazhdon aktivitetet e saj të kërkimit në Mesdheun Lindor.
Videoja në të cilën situata e fundit e anijes Oruç Reis shpjegohet edhe me pamjet e realizuara nga helikopteri, fillon me njoftimin e bërë nga anija TCG Gediz me detyrën shoqëruese.
“Ndodhemi bashkë me ju për një detyrë që ka një rëndësi të madhe për vendin dhe popullin tonë. Me punimet që kryeni kemi besimin se do të jepni lajmin e mirë që populli ynë fisnik e pret. Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtën dhe interesat tona detare në ‘Atdheun Blu‘. Fuqia e Forcave Detare Turke dhe lutjet e 83 milionëve janë me ju”, ka thënë në njoftimin me radio komandanti i dytë i TCG Gediz.
Ndërsa në njoftimin nga anija kërkimore Oruç Reis jepet përgjigjja: “Fakti që ne e dimë se flota jonë heroike ndodhet këtu për ne, na jep mundësi që ne të punojmë të sigurtë. Ne këtu po kryejmë një studim plotësisht shkencor dhe teknik brenda juridiksioneve detare të vendit tonë. Së bashku me ju ne do të vazhdojmë të punojmë pa u dorëzuar në mënyrë të vendosur dhe pa frikë për të drejtat dhe interesat detare të vendit tonë”.
Videoja përfundon me fotografitë e anijes kërkimore Oruç Reis dhe elementëve të forcave detare që kryejnë detyrën e shoqërimit dhe mbrojtjes së saj.
Ministria turke e Mbrojtjes lidhur me pamjet postoi mesazhin:
“Të fortë, të vendosur dhe të aftë. Fregatat dhe korvetat e Forcave tona Detare po vazhdojnë me vendosmëri detyrën e shoqërimit/mbrojtjes për anijen kërkimore Oruç Reis e cila vazhdon punimet e saj në zonat tona të juridiksionit në Mesdheun Lindor. Në rajon nuk do të lejohet asnjë paligjshmëri dhe kapadaillëk”./AA
Fraksion.com