Pheniani, provë me raketë nga nëndetësja?
Imazhet satelitore të një kantieri detar në Korenë e Veriut flasin për aktivitete që tregojnë se vendi po përgatitet për një provë me raketë me rreze të mesme veprimi të lëshuar nga nëndetësja, sipas një institucioni studimor në Shtetet e Bashkuara.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se imazhet e kantierit detar Sinpo të Koresë së Veriut, të publikuara në faqen e saj të internetit, tregojnë disa anije, njëra prej të cilave i ngjante mjeteve detare të përdorura më parë për rimorkimin e një nëndetëseje.
Qendra tha se aktiviteti u ngjante “përgatitjeve për një provë të ardhshme me raketë balistike Pukguksong-3 të lëshuar nga një nëndetëse”, por se ky nuk ishte një konkluzion përfundimtar.
Koreja e Veriut tha tetorin e kaluar se kishte testuar me sukses një raketë Pukguksong-3, që lëshohet nga nëndetësja, si pjesë e përpjekjeve për të përballuar kërcënime të jashtme dhe për të forcuar mbrojtjen.
Lëshimi i raketës në fjalë u pa nga analistët si më provokuesi i ndërmarrë nga Koreja e Veriut që kur ajo hyri në dialog me Shtetet e Bashkuara për armët bërthamore dhe programet e raketave në vitin 2018.
Që nga viti 2017, Koreja e Veriut ka pezulluar provat e raketave me rreze të gjatë veprimi si dhe provat bërthamore, por përpjekjet e Presidentit të SHBA Donald Trump për ta bindur Phenianin të heqë dorë nga programet bërthamore dhe të raketave kanë patur pak sukses.
Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni ende nuk kanë reaguar mbi raportin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Në një konferencë shtypi të premten, Presidenti Trump përshëndeti marrëdhënien e tij me Korenë e Veriut, duke thënë se kur ai u zgjodh president, disa njerëz parashikonin se ai do të hynte në luftë me Phenianin brenda një jave.
“Ndërkohë, ne kemi shkuar mirë me ta. Nuk hymë në luftë,” tha ai.
Presidenti Trump e ka quajtur sukses të tij diplomatik faktin që Koreja e Veriut nuk ka kryer prova me raketa balistike ndërkontinentale dhe prova bërthamore që nga viti 2017. Ai është përpjekur të minimizojë rëndësinë e provave të shumta me rreze të shkurtër veprimi të ndërmarra prej saj gjatë kësaj periudhe.
“Koreja e Veriut ka testuar tetorin e kaluar një raketë Pukguksong-3, që lëshohet nga nëndetësja. Kjo nuk e kaloi vijën e kuqe të vendosur nga Presidenti Trump në atë kohë dhe nuk ka gjasa as këtë herë. Presidenti Trump nuk do t’a dijë”, shkroi në Twitter, Vipin Narang, ekspert për çështjet e mospërhapjes së armëve në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa Pukguksong-3, e testuar vitin e kaluar, fluturoi 450 kilometra dhe arriti një lartësi prej 910 kilometrash; në një trajektore standarde ajo do të kishte arritur një distancë prej rreth 1’300 kilometrash.
Lajmi për aktivitetet në Sinpo vjen mes shenjave se Koreja e Veriut mund të përgatitet për një paradë të madhe ushtarake në tetor, që disa analistë besojnë se mund të përdoret për të demonstruar raketa të reja, siç ka vepruar Peniani në raste të tilla në të kaluarën./voa
Fraksion.com