AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Izraeli: Vendosja e ambasadës së Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem, hap drejt paqes

Ministria e Jashtme e Izraelit, ka njoftuar edhe zyrtarisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe për hapjen e ambasadës në Jerusalem. Në komunikatën për media të kësaj ministrie po ashtu njoftohet për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem.

Lajmi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Jerusalemit, u bë i ditur më 4 shtator në Zyrën Ovale, nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi Kosova dhe Serbia, në prani të tij, nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik.

“Ne e shohim vendimin e Kosovës dhe Serbisë, që të vendosin ambasadat e tyre, si hap simbolik drejt promovimit të paqes në mes këtyre shteteve. Qyteti i Jerusalemit, kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Izraelit, do të përbëjë një urë paqeje për tërë botën. I bëj thirrje shteteve të tjera që të ndjekin këto hapa dhe të vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, kryeqytetin e Izraelit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Gabi Ashkenzi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kosova është e vendosur që të hapë ambasadën në Jerusalem, “të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe”.

Ashkenazi po ashtu ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe administratën e tij për lidershipin e treguar në nivel ndërkombëtarë, por edhe për ndërmjetësimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Administrata amerikan vazhdon të udhëheqë përparime të rëndësishme diplomatike, si në marrëdhëniet tona me Serbinë dhe Kosovën, ashtu edhe në promovimin e normalizimit dhe të marrëveshjes historike të paqes ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Izraeli nuk ka aleate më të mirë se SHBA-në”, ka thënë ai.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit Trump, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik.

Gjatë këtij takimi, pas njoftimit nga presidenti Trump se Izraeli do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, kryeministri Hoti zhvilloi një bisedë të shkurtër telefonike me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilën, tha se u dakorduan që Kosova sa më shpejtë të hapë ambasadën në Jerusalem.

 

Fraksion.com