AktualitetKosovaTë fundit

PDK: Delegacioni i Kosovës humbi shansin për njohje të ndërsjellë me Serbinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar takimin dhe marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet liderëve të Kosovë dhe të Serbisë, si shans të humbur nga delegacioni kosovar, për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes”, thuhet në një komunikatë të PDK-së të publikuar në Facebook.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet që PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në procesin e përmbylljes së dialogut mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por, sipas PDK-së “marrëveshjet që nuk parashohin njohje të ndërsjellë, nuk ofrojnë zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Për më tepër, është edhe më e rëndë në qoftë se ka cenim të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave strategjike të Kosovës. Nuk ka negociata me territore e as me pasurinë tonë kombëtare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik. Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, presidenti Trump e cilësoi si “të rëndësishme dhe historike”.

 

Fraksion.com