Haradinaj: S’kemi mirëkuptim me Hotin rreth Ujmanit, s’e përkrahim marrëveshjen
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk ka hasur në mirëkuptimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për heqjen e çështjes së Liqenit të Ujmanit nga marrëveshja që pritet të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, me Serbinë.
“Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Haradinaj tha se për këtë shkak, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është parnetere e koalicionit qeverisës – nuk është e gatshme “për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”.
Më herët, Haradinaj i bën thirrje kryeministrit Hoti që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit. Haradinaj thotë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.
“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, tha Haradinaj.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj tha se nëse marrëveshja nënshkruhet sot, më 4 shtator, dhe ka çështjen e Ujmanit në të, ai dhe partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahin.
“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet relevante, pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.
“Nuk e ka përkrahjen time dhe të Aleancës. Nuk e di si do të jetë fati i kësaj marrëveshjeje. Unë apeloj te kryeministri Hoti që të mos e nënshkruajë. Pra, një marrëveshje ku Ujmani është çështje e çfarëdo marrëdhënieje trepalëshe të mos e nënshkruajë, ku është edhe Serbia palë”, tha Haradinaj, duke shtuar se ndonëse i gëzohen arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, ka disa elemente të tjera që janë të ndjeshme.
“Jam në dijeni të krejt materies. Nuk ka pasur element të njohjes. Kanë qenë disa pika të marrëdhënieve të ndërsjella, një prej të cilave, pikën 10 Serbia ka kërkuar që të hiqet. Ka edhe pika të tjera që janë të ndjeshme, është Minishengeni, pastaj është moratoriumi për mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit. Ka plot pika, por ne në respekt të nikoqirit, në këtë rast të SHBA-së jemi gjendje të gjejmë dalje, por e vetmja pengesë për mosdakordim për marrëveshje është çështja e Ujmanit për të cilën unë nuk e kuptoj pse duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje ku është edhe Serbia”, tha ish-kryeministri Haradinaj.
Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të Kosovës, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Në pyetje e Radios Evropa e Lirë se a mund të ketë sanksione nga amerikane ndaj tij nëse marrëveshja refuzohet , Haradinaj tha shkurtimisht që është e mundshme.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump pritet që sot të nënshkruajnë një dokument.
Ky dokument është thënë se përmban çështje ekonomike, por nuk janë dhënë më shumë detaje.
Takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë nisën më 3 shtator, nën ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Ndryshe, në delegacionin e Kosovës në Uashington janë ministrat nga AAK-ja, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe ministrja e Punëve të Jashme, Meliza Haradinaj-Stublla. Në takimet e së enjtes në Shtëpinë e Bardhë ka marrë pjese, krahas Hotit, edhe Selim Selimi.
Pas takimit të 3 shtatorit, O’Brien tha se palët kanë bërë “përparim të vërtetë”, ndërkaq kryeministri Hoti tha se marrëveshja do të finalizohet më 4 shtator.
Marrëveshja që pritet të nënshkruhet nuk është publikuar deri më tani.
Fraksion.com