AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Për momentin nuk ka ndryshime në qeveri, sfidë Rindërtimi

Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se për momentin nuk do të bëjë ndryshime në qeveri.

Në një prononcim për “Top Channel”, Rama iu përgjigj pyetjes nëse do të bëjë ndryshime në qeveri.

“Jo, për momentin”, tha Kryeministri.

Po ashtu, ai theksoi se nuk e udhëheq ai fushatën elektorale të Vlorës, as më parë dhe as tani.

“Asnjëherë, as më përpara. Udhëheqësi i fushatës elektorale në Vlorë ka qenë dhe është Damian Gjiknuri, kështu që kjo është thjesht fake news. Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin, sepse është një zonë me një rëndësi të posaçme në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të rindërtimit, pas gjithë asaj tragjedie që kaloi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “Durrësi është pjesa më e dëmtuar, është edhe pjesa më sfiduese e rindërtimit, pasi aty realisht duhet të bëhet një punë shumë e madhe”.

“Kemi ecur shumë me projektet. Siç dihet, apo për ata që s’e dinë unë e përsëris, që për rindërtimin në Durrës ne kemi një marrëveshje që unë e kam bërë me Princin e Emirateve të Bashkuara dhe janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrijmë të bëjmë diçka fantastike në Durrës. Kështu që nuk ka lidhje e para me të dytën. Pastaj unë jam edhe nga Durrësi, edhe nga Vlora, jam edhe nga Shkodra madje”, tha Kryeministri, duke iu përgjigjur interesit të gazetarit mbi vendimin e marrë në grupin parlamentar të PS-së.

I pyetur se përse vetëm 3 nga ministrat janë deleguar në rrethe, Rama tha se “edhe kjo nuk ka lidhje fare, kur vjen puna te drejtimi i qarqeve”.

“Këtu nuk flasim akoma njëherë për udhëheqjen e fushatës. Fushata është akoma larg. Këtu flasim për ata që janë kujdestarë në këtë fazë, por kjo është për t’u parë në proces dhe kush do të lodhet, do të kalojë në vijën e dytë. Mund të shkoj edhe në stolin e rezervave. Kush do të ketë energji do të shkojë në sulm deri në fund. Kështu që nuk është as përfundimtare dhe nuk ka lidhje as me je apo s’je ministër. Të qenit ose jo ministër nuk lidhet me këtë, sepse varet se ku të kërkon partia, siç i thonë”, tha Rama.

 

Fraksion.com