AktualitetOp-EdTë fundit

“Për një dalje në Adriatik”; Votimi malazez, si votim antishqiptar

Nga Dritan Hila

 

Luftëtarët shqiptarë për përmbysjen e diktaturës së Ramës mund të gëzojnë. Koalicioni opozitar në Mal të Zi është afër formimit të qeverisë. Me këtë rast ia thyen edhe hundët Edi Ramës dhe mbase me pak fat dhe kismet, vitin që vjen Rama ikën dhe vjen në fuqi koalicioni i shpresës dhe antikorrupsionit Berisha-Meta.

Por asgjë më larg se demokracia nuk ka në fitoren e opozitës malazeze dhe asgjë më jo perëndimore ka në humbjen e Gjukanoviçit.

Le ta shohim me sy të qetë dhe larg gajdeve analitike shqiptare.

Rreziku i krijimit nga opozita serbe e qeverisë se re malazeze është kundër interesit tonë kombëtar. Mirë apo keq, Gjukanoviç nuk ishte një marionetë e Beogradit dhe ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën. Pa harruar pritjen e mijëra refugjatëve gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj Milosheviçit.

Me Gjukanoviç, Shqipëria dhe Kosova kishte zero probleme. Natyrisht që mund të bëhej më shumë për të drejtat e shqiptarëve aty. Por me opozitën e Milos ka për t’u bërë më keq.

Asgjë heroike, demokratike apo progresiste ka kjo opozitë që zurnatë shqiptare po e idoliartrojnë. Fitorja e saj nuk ishte aspak frymë për ndryshim, nuk ishte aspak dëshirë për një qasje perëndimorë të Malit të Zi. Përkundrazi, ishte mobilizim i të gjithë fashës pro-serbe malazeze dhe mbi të gjitha i kishës ortodokse që shikonte tek Gjukanoviç një kundërshtar.

Më shumë se veleritje nga pushteti aktual, përparimi i opozitës malazeze lidhet me mobilizimin e Serbisë dhe Rusisë për të thithur në vorbullën e tyre rishtas Malin e Zi dhe pasur një dalje në Adriatik.

Në këtë kuadër ishte edhe thirrja e Ramës për mobilizimin e faktorit shqiptar pro-Milo. Informacionet tregonin se shqiptari i sllavizuar Abazoviç nuk ishte vetëm se një kalë troje i opozitës filo-serbe. Me ndërhyrjen e Ramës partnerët perëndimorë dhe Gjukanoviç shpresonin të ndalohej rrjedhja e votës shqiptare në drejtim të Abazoviçit. Fatkeqësisht me pak sukses. Ndoshta kjo edhe për shkak të mungesës prej një kohe të gjatë të vëmendjes së Shqipërisë zyrtare ndaj kësaj treve. Kush e quan ndërhyrjen e Ramës si mani të tij, të paktën në këtë rast, minimalisht ka mungesë totale informacioni.

Pakkush në Mal të Zi është ngacmuar në votim nga degradimi i pushtetit të Gjukanoviç. Është e qartë që përrallat me demokraci të tipit anglez, nuk i përtyp më asnjë në Ballkan. Madje as ithtarët e opozitës serbe në Tiranë. Është thjesht çështje interesash. Në Mal të Zi e dinë që qeveria e re që mund të formohet nuk do ndjekë shembullin e demokracisë Perëndimore por të Serbisë dhe Rusisë. Ashtu sikur në terren do përkthehet në një regres. Mali i Zi do bëjë hapa pas në fushën e integrimit dhe me siguri përfaqësuesit e tij do të rrinë te dera e mbledhjeve të NATO-s.

Por për fat, presidenca është ende në dorën e Gjukanoviç. Deri sa të mbarojë mandati i tij, duhet ende kohë, dhe koha në politikë është aseti më i madh që Milo ia di vlerën. Për më tepër në perëndim, pakkush ka oreks të lejojë që malazezët të rrëshqasin në një orbitë ruse./Dritare.net

 

Fraksion.com