O’Brien: Është duke u arritur progres – Grenell demanton ofertën për njohje
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka deklaruar të enjten se është arritur progres në ndërmjet dy liderëve, të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Hoti- Vuçiq është duke u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.
“Liderët e Serbisë dhe të Kosovës tash janë duke arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite”, tha O’Brien në një postim në Twitter.
Ndërkaq, i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.
Më herët, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit të Serbisë në Uashington, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.
“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.
Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.
“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.
Në pyetjen se a mund të pritet që takimet të vazhdojnë edhe nesër, Malli ka theksuar që lidhur me këtë nuk dëshiron të spekulojë.
Përfundon pjesa e parë e takimit
Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është duke u zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, janë nikoqirë të takimit.
Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.
“Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.
“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Hoti.
“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik në mes të dy vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive me komunikimet që kemi pasur deri më tash. Unë ju falënderoj për interesimin, do të keni informata sapo ta kryejmë raundin e parë të takimeve”, ka shtuar ai.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.
“Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë rajonit tonë, dhe mbi të gjitha do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës.
“Mesazhi im për të gjithë në Serbi është: Dorëzimi asnjëherë nuk ka qenë opsion”, ka thënë Vuçiq.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.
“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.
Është paralajmëruar se projektet infrastrukturore do të jenë temat e takimit të liderëve, të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenellit.
“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.
Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.
“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka mirëpritur ftesën e Shtëpisë së Bardhë për takimin e ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ditën e enjte, “në kërkim të një marrëveshjeje për paqe”.
“E inkurajoj delegacionin e Kosovës për të bërë hapa të guximshëm drejt paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Aktualisht, ende nuk është vendosur nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Qëndrimet e delegacioneve
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, dhe që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun rajonal dhe evropian.
Sipas tij, në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë “vendime strategjike që kanë çuar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës”.
“Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë”, shkroi Hoti në rrjetin social Facebook më 1 shtator.
Në anën tjeter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Uashington, është i hapur për një bisedë konstruktive dhe se do të mbrojë “interesat serbe”.
Gjuriq, i cili është pjesë e delegacionit, u tha gazetarëve se delegacioni dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të paraqesin një agjendë të bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas tij, kjo agjendë mund të ndryshojë plotësisht llojin e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
“Jemi përgatitur për projekte serioze të bashkëpunimit midis nesh dhe Prishtinës. Ne kemi përgatitur një spektër të gjerë të projekteve – projekte të infrastrukturës – dhe një mundësi për biznesmenët e rinj. Por, duke u angazhuar në forcimin e lidhjeve ekonomike, jemi gjithmonë të gatshëm t’i mbrojmë interesat serbe”, tha Gjuriq.
Zyrtari i qeverisë serbe tha se pret që në takimin në Shtëpinë e Bardhë, të vendosen në tryezë të bisedimeve edhe tema të vështira politike.
“Nëse kjo ndodh, të gjithë ata që kanë ndjekur politikën serbe për tetë vjetët e fundit mund ta dinë se përgjigja e shtetit serb ndaj propozimeve konstruktive do të jetë me përgjegjësi. Por, ne do të jemi gjithmonë të gatshëm, kur është e nevojshme, të refuzojmë atë që nuk është në interes të Serbisë”, u shpreh Gjuriq.
Pajtimi i arritur mbi normalizimin e transportit
Letra e shprehjes së interesit për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, Grenell dhe O’Brien, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.
Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit. Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.
Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë. Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.
Sipas kësaj letre të interesit, Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.
Fluturimet ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë në vitin 1999. Atë kohë, Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që si synim kishin mbrojtjen e popullatës civile dhe dëbimin e forcave serbe, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Më pas, më 14 shkurt, delegacionet nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell kanë nënshkruar në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.
Këto pajtime mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.
Sa i përket transportit rrugor, autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë – Merdare – Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidh Kosovën me Shqipërinë. Kurse, në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.
Transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë – Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë -Pejë. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e udhëtarëve.
Ndryshe, Grenell pati deklaruar, po ashtu, se kur kishte marrë misionin nga presidenti Donald Trump për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, ishte frymëzuar pikërisht nga zhvillimi i fuqishëm ekonomik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj edhe në këtë aspekt ai e ka përqendruar agjendën e tij që përmes ekonomisë, hapjes së vendeve të punës dhe investimeve, të arrihen gjëra të mëdha në mes të dy vendeve, por edhe rajonit.
Ambasadori Grenell është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t’i tejkalojnë çështjet e hapura nga fusha e ekonomisë, në mënyrë që të vazhdohet tutje drejt arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve, e cila, sipas tij, do të ishte e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe joshëse për investimet nga jashtë.
Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka deklaruar të mërkurën se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe.
Ai ka thënë se ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike.
Ndryshe, takimi në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, është i dyti i tillë i thirrur nga Uashingtoni.
Takimi i planifikuar më 27 qershor është anuluar pak ditë para mbajtjes, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.
Fraksion.com