Lituani, trupa të SHBA në kufirin me Bjellorusinë
Në Lituani do të mbërrijnë të premten trupa dhe tanke amerikane për një dislokim dy-mujor afër kufirit me Bjellorusinë, por qeveria tha se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë mesazh për fqinjin e saj të mbështetur nga Rusia, ku vazhdojnë protestat lidhur me zgjedhjet e debatueshme të 9 gushtit.
Në një njoftim të bërë mbrëmë, anëtarja e NATO-s, Lituania, tha se trupat amerikane do të vinin nga Polonia për stërvitje ushtarake të planifikuara qysh më parë. Këto janë “të natyrës mbrojtëse dhe nuk drejtohen ndaj asnjë fqinji, përfshirë Bjellorusinë,” tha qeveria lituane.
Megjithatë, trupat po arrijnë më herët dhe do të qëndrojnë më gjatë sesa kishte thënë qeveria para shpërthimit të protestave në Bjellorusi për zgjedhjet, të cilat lanë në pushtet Presidentin Alexander Lukashenko, aleat kryesor i udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Zoti Lukashenko i ka mohuar akuzat e opozitës bjelloruse dhe vendeve perëndimore se votimi ishte i manipuluar dhe u ka rezistuar kërkesave të protestuesve për të dhënë dorëheqjen. Ai ka akuzuar NATO-n për grumbullime ushtarake pranë kufijve të Bjellorusisë, gjë që aleanca e ka mohuar, dhe ka thënë se do të kërkojë ndihmën ushtarake ruse nëse është e nevojshme.
Dislokimi në Lituani, që do të fillojë të premten dhe do të zgjasë deri në nëntor, përfshin 500 trupa dhe 40 mjete ushtarake amerikane, si tanke Abrams dhe transportues të blinduar Bradley, tha një zëdhënës i ushtrisë lituaneze.
Më 29 korrik, Ministri lituan i Mbrojtjes Raimundas Karoblis, i tha agjencisë së lajmeve BNS se Shtetet e Bashkuara do të dërgonin në shtator një kontingjent me madhësinë e një batalioni, 300 deri në njëmijë ushtarë, për trajnim dyjavor, duke filluar nga mesi i muajit. Ai e përsëriti informacionin më 4 gusht në një intervistë me radion publike LRT.
“Dislokimi është në përputhje me kalendarin e trajnimit dhe me disponueshmërinë e zonës së trajnimit,” tha zëdhënësja e ministrit të mbrojtjes Vita Ramanauskaite për agjencinë e lajmeve Reuters.
Përveç dislokimit amerikan, deri në njëmijë trupa dhe aeroplanë ushtarakë nga Franca, Italia, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera do të marrin pjesë në një stërvitje vjetore nga data 14 deri më 25 shtator, tha zëdhënësi i ushtrisë lituaneze.
Ministria nuk përmendi ndonjë plan që trupat të qëndrojnë përtej 25 shtatorit.
Ministri Karoblis tha në fillim të këtij muaji se ekzistonte rreziku real që Rusia të dërgonte forca në Bjellorusi./voa
Fraksion.com