“Kishte vetëm një ditë”; Reagon spitali ”Shefqet Ndroqi” për vetëvrasjen e 65-vjeçarit: Ja si po trajtohej
Spitali universitar “Shefqet Ndroqi” ka reaguar sa i përket ngjarjes tragjike të vetvrasjes së 65-vjeçarrit, Hasan Mira, 65 vjeç, e cila u krye gjatë orëve të vona të pasdites së djeshme.
Një njoftim të shkurtër të publikuar në faqen zyrtare, stafi i këtij Spitali bën të ditur se i ndjeri kishte vetëm një ditë që ishte shtruar në spital dhe Covid i kishte shkaktuar pneumoni.
“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 65-vjeçarit me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës mbrëmjen e sotme dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira. 65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit”, thuhet në reagimin zyrtar.
Më tej theksohet se “Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se po vijojë të jetë në shërbim 24/7 për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë”.
Sakaq dje u zbulua dhe telefonata tronditëse e Hasan Mirës, me një fqinjin e tij, të cilit i ishte shprehur se do të kishte qenë më mirë që të mos shtrohej fare në spital, nëse e dinte atë që ndodhte brenda dyerve të tij.
“Jam mirë më duket se ja hodha, ndërkohë që ka shtuar se po ta dinte çfarë bëhej në spital nuk do të ishte shtruar”.
Viktima, vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani ka bërë një natë më parë një telefonatë me fqinjin e tij. Ai i thotë se ka mundur të sigurojë telefonin përmes ryshfetit dhe se kishte 5 minuta kohë për të folur.
Gjatë bisedës shprehet i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital (pa e specifikuar) dhe shton se nuk do shtrohej kurrë nëse do ta dinte se çfarë po ndodhte aty.
Fqinji: Si je? Hasan Mira: Jam më mirë, më duket se ja hodha ia hodha…Fqinji: Si ke mundur të fusësh telefonin aty brenda?
Hasan Mira: Po me miqësi, kam paguar diçka… Fqinji: Shyqyr që je mirë!
Hasan Mira: Po ta dija se çfarë bëhet në spital nuk do kisha ardh me u shtru…Shyqyr që jam mirë e mos ardhsha më në këtë vend! Po e mbyll telefonin se e mora për 5 minuta, nuk ma lënë më, më rri një person më vëzhgon tek koka tani që po flas. /Faxnews
Fraksion.com